7.5 C
Tiranë
Saturday, November 23, 2024
spot_img

Rreziku i FETO-s në Shqipëri: Rama paralajmëron goditjen e lëvizjes së Gulenit

Pas kthimit nga Turqia dhe takimit me Recep Tayyip Erdo?an në Ankara, kryeministri Edi Rama paralajmëroi dje shfarosjen e FETO-s (gylenistëve) në Shqipëri. Dy ditë më parë Rama u takua “kokë më kokë” me Erdogan dhe me ardhjen në Tiranë, ai ka dhënë sinjale se është i gatshëm të vërë në zbatimin e ultimatumit të fundit të presidentit turk për të goditur kundërshtarët e tij gylenistë që strehon në Shqipëri, të cilët janë në kërkim për vepra të ndryshe penale nga autoritetet turke dhe financohen nga kundërshtari i “Sulltanit” të Turqisë, klerikut fetar, Fethullah Gulen. Presidenti turk i ka kërkuar llogari në mënyrë të prerë kreut të qeverisë shqiptare për mosmbajtjen e premtimit për “kokat” e gylenistëve. Deri më sot, Edi Rama ka qenë nën presionin e SHBA-BE dhe nuk e ka zbatuar plotësisht urdhrin e Erdogan, ndërsa presidenti turk për ta ndëshkuar i ka anuluar kontrata dhe marrëveshje të rëndësishme. Por me investimet e fundit që paralajmëroi “Sulltani” nga Turqia për Shqipërinë, mesa duket Rama i është “gjunjëzuar” dhe pritet të vazhdojë misionin e lënë përgjysmë, pasi ai ka mbyllur vetëm një shkollë dhe një kopsht. Rama foli dje pas mbledhjes virtuale të Asamblesë së Partisë Socialiste, teksa u pyet nga gazetarët për çështjen e “gylenistëve”. “Shifrat i keni komplet të pasakta. Në Shqipëri janë mbyllur më shumë se kaq dhe janë mbyllur në bazë të ligjeve dhe në bazë të rregullave që ka Republika e Shqipërisë. Janë mbyllur institucionet të cilat mund t’i quani ju kështu ose mund t’i quajnë të tjerët ashtu, janë mbyllur institucione që nuk kanë qenë në përputhje me ligjin e Republikës së Shqipërisë dhe do të vazhdojnë të mbyllen ato institucione që nuk janë në përputhje me ligjet e Republikës së Shqipërisë kudo qofshin, të kujtdo qofshin edhe kushdo qoftë që iu del për zot, iu del në mbrojtje apo iu vë etiketa të caktuara”, deklaroi kryeministri Edi Rama.

Lista e Turqisë

Ndërkohë gazeta “SOT”, ka mësuar se në dy listat që ka dorëzuar Turqia ka emra institucionesh dhe emra konkretë individësh që duhet të goditen nga ana e qeverisë shqiptare. Autoritetet turke kërkojnë të mbyllen shkollat e mesme të Medresesë në Tiranë, Shkodër, Durrës, Kavajë, Elbasan, Berat dhe Korçë. Po ashtu përfshihen kolegjet turke, shkollat fillore dhe të mesme, për djem dhe për vajza, kolegji “Hasan Riza Pasha” në Shkodër si dhe Kolegjet “Turgut Ozal”, Kolegji Gulistan, Instituti i Edukimit Gulistan si fondacion, etj. Po ashtu në listë janë 2 universitete, dy qendra kulturore, një portal mediatik, një shtëpi botuese dhe një bankë. Gjithashtu është dorëzuar një listë me zyrtarë konkretë të këtyre institucioneve, që duhet të ekstradohen në Turqi, ku bën pjesë dhe drejtori i spitalit “Amerikan”.

Kush janë gylenistët?

Turqia tash e një kohë të gjatë u është vënë pas mbështetësve të lëvizjes Hizmet të klerikut Fethullah Gulen, rivalit kryesor të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan. Mbështetësit e Gulenit, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara, konsiderohen terroristë nga Turqia, ndërkaq Lëvizja Hizmet, që ka miliona mbështetës, në Turqi është shpallur terroriste. Erdogan ka fajësuar Gulenin se qëndron prapa grusht-shtetit të dështuar më 15 korrik të 2016-s në Turqi, dhe prej atëherë, autoritetet turke kanë arrestuar mijëra persona dhe shumë të tjerë i kanë larguar nga puna, pas dyshimeve se janë “gylenistë”, apo ndjekës të klerikut Gulen.

Çfarë bën Lëvizja e Gulenit?

Kleriku Gulen fitoi famë në vitet ’60, si predikues në lutjet e së premtes. Përmes lëvizjes së tij Hizmet (Shërbim), ka financuar shkolla, media dhe organizata joqeveritare. Kjo lëvizje orperon në mbi 150 shtete të botës. Në këtë mes hyn edhe Kosova, në të cilën gjenden shkollat e arsimit fillor dhe të mesëm “Mehmet Akif”. Gulen proklamon se përqafon islamin e moderuar dhe tolerant. Megjithatë, disa qeveri e shohin lëvizjen e tij si kërcënim për shkak të rrjetit që ka në mesin e biznesmenëve të pasur dhe ndikimit që ushtron përmes qendrave arsimore. Mbështetësit e Gulenit thonë se kjo lëvizje promovon altruizmin, punën dhe edukimin.

Raportet me Erdoganin

Rivaliteti në mes të Erdoganit dhe Gulenit nuk ka ekzistuar gjithmonë. Në fakt, lëvizja e Gulenit ka qenë një mbështetëse e fuqishme e Erdoganit. Gulen, përmes mediave që e kanë mbështetur atë dhe lëvizjes së tij, ka ndihmuar që partia e presidentit turk, Partia për Zhvillim dhe Djetësi, të vijë në pushtet më 2002. Megjithatë, marrëdhëniet mes Erdoganit dhe Gulenit u prishën, për shkak të, siç është thënë, dallimeve në çështjen e ndarjes së pushtetit dhe për stilin autoritar të udhëheqjes së presidentit turk.

“Grup terrorist”

Në maj të vitit 2016, Turqia zyrtarisht e ka njohur lëvizjen e klerikut Gulen, si grup terrorist. Erdogan për një kohë të gjatë ka akuzuar Gulenin dhe mbështetësit e tij, se dëshirojnë të bëjnë grusht-shtet. “Ne nuk do t’i lëmë ata që përçajnë kombin”, kishte deklaruar Erdogan, në ditën kur zyrtarisht organizata e Gulenit u shpall si grup terrorist në Turqi, shtet në të cilin njihet me akronimin FETO (Organizata Terroriste Fethullaiste). Akuza për grusht shtet ndaj gylenistëve, Erdogan kishte bërë pas një skandali të korrupsionit më 2013, ku ishin përfshirë disa prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë. Skandali kishte të bënte me akuzat ndaj zyrtarëve shtetërorë që ishin pasuruar duke përdorur fondet shtetërore për të blerë ari nga Irani, dhe për të ndihmuar Teheranin që të shmangë sanksionet ndërkombëtare mbi programin e tij bërthamor. Turqia vazhdimisht ka kërkuar ekstradimin e Gulenit nga SHBA-ja. Pas tentim puçit më 2016, Ankaraja ka shtuar kërkesat për një ekstradim të tillë, por Uashingtoni zyrtar ka kërkuar prova që dëshmojnë për përfshirjen e Gulenit në puç. Ky i fundit, vazhdimisht ka mohuar çdo përfshirje në këtë ngjarje. Shtetet e Bashkuara kanë thënë se nuk e njohin si organizatë terroriste Lëvizjen Hizmet.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT