Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nga qelia e paraburgimit në Hagë, i ka uruar fitoren për mandatin e tretë, Kryeministrit Edi Rama.
Teksa e nis mesazhin e tij me; ‘Vëlla Edi’, shkruan se është i lumtur për fitoren e Ramës. Mes të tjerash Thaçi shkruan në letër se; “Sot, Shqipëria fitoi! Sot, Shqiptarët janë mirë. Kujdesu për Shqipërinë, vlla, dhe mos harro që t’kujdesesh edhe për Kosovën. Kur ti kujdesesh për Kosovën, ti kujdesesh edhe për shqiptarët.”
MESAZHI I THAÇIT
Vëlla Edi,
Dhomat e ngushta e muret e qelisë së Hagës nuk e përmbajnë dot shpërthimin e entuziazmit tim për fitoren tënde – entuziazëm ky që ndryshe vështirë gjen vend në zymtësinë e vetmisë së ditëve të burgut. Por, si asnjëherë kohëve të fundit, sot jam i lumtur dhe i qetë për fitoren tënde, vellau im. Për Shqipërinë kam mall, dashuri, nostalgji. Sot, dielli i Shqipërisë që aq shumë më mungon e ngrohu zemrën e Shqiptarit brenda meje.
Sot u fundosa i buzëqeshur në dallgët e kujtimeve të lavdishme të ditëve të luftës. U kujtova për ata që luftuan me mua, ata që ranë që lirinë ta sjellin mes nesh, dhe për krejt atë çka idealizuam aq shumë për Shqipërinë, sa u betuam të jepnim edhe jetën për çlirimin dhe bashkimin e trojeve Shqiptare. Ky ishte betimi im dhe i shokëve të mi si ushtar’ të UÇK-së, betim e luftë që sot më mban të qëndroj kokë-lartë e me ndergjegje qetësisht të pastër përballë të panjohurës.
Me gjithë ndërgjegjen e pastër e luftën e dinjitetshme për tu bashkuar me Shqipërinë, mu kujtua se vetëm atëherë kur Kosova u çlirua, ne e kuptuam se bashkimi ishte larg dhe i pamundshëm. Shqipëria e poezive, librave dhe amaneteve të vyera ishte dëshirë e ideal, po jo pasqyrë e realitetit të kohës. Unë luftova për kët’ideal me Kosovën brenda Shqipërisë po kur mundësitë u kufizuan, unë luftova për Kosovën shtet – krenarinë e jetës time. Jam munduar shumë për Kosovën, por edhe kam gabuar – dikur me entuziazmin e idealistit, e më vonë me arrogancën e pushtetarit.
Ama, vëllau im Edi, kurrë s’kam gabuar mbi raportin të cilin kemi krijuar bashkë. Ti je vëlla’ i ditëve të vështira, e shok i ditëve të bukura. Je Kryeministri i Shqipërisë që idealizova, dhe vëllau Shqiptar për të cilin me entuziazëm luftova. Sot, Shqipëria që ti aq shumë punove dhe do punosh ta ndërtosh, është Shqipëria për të cilën dikur u betova të luftoj. Është Shqipëria e poezive të Naimit – Shqipëria me malet e bukura e lisat e gjatë që sot, në tavanin e qelisë së burgut, më vizatohen e më rrin n’mend dit’ e natë.
Pra, vëllau im Edi, ty që po bën Shqipërinë të cilën e idealizova si i ri e u betova si ushtar, po te them i bindur se fitoren tënde e gëzojnë shqiptarët. Me ta, jam kaq i gëzuar edhe unë pa masë. Prandaj, me librat që më shoqërojnë në vetminë e këtyre ditëve ku koha refuzon të nxitoj, unë të përqafoj dhe uroj vëllazërisht nga larg për shkak të pamundësisë për të festuar bashkë.
Është e shëmtuar që nuk mund të jem aty, por përtej afshit revolucionar të kujtimeve të mija si ushtar dhe pragmatizmit prej politikani që m’godet herë-pas-here në formë kujtimesh, sot nuk të uroj si miku me të cilin ndave copa të rrugëtimit politik, por si vëllaut tim nga gjaku.
Me shpresën që do të mund takohemi përsëri duke frymuar nën qiellin e bukur dhe diellin që ngroh Shqipërinë e Kosovën, po të uroj të vazhdosh të japësh gjithçka nga shpirti yt për Shqipërinë. Kjo sepse edhe kur në ditët ku drita e diellit nuk depërton në muret e mbyllura të qelisë, dielli ngroh zemrën time vetëm at’herë kur Shqipëria dhe Kosova janë mirë.
Sot, Shqipëria fitoi! Sot, Shqiptarët janë mirë. Kujdesu për Shqipërinë, vlla, dhe mos harro që t’kujdesesh edhe për Kosovën. Kur ti kujdesesh për Kosovën, ti kujdesesh edhe për shqiptarët.
Me dashuri,
Vëllau yt,
Hashimi.