0.5 C
Tiranë
Monday, November 25, 2024
spot_img

Sulmi islamik në Rusi, Putin kërkon të bëj fajtore Ukrainën dhe SHBA

Analiza e Sulmit në Moskë

Pas sulmit të tmerrshëm në sallën e koncerteve në periferi të Moskës më 22 mars, presidenti rus, Vladimir Putin, u përpoq të drejtojë gishtin e fajit drejt Ukrainës dhe Perëndimit.

Në deklaratat e tij të para, Putin nuk përmendi grupin ekstremist Shteti Islamik, por mori për qëllim të akuzonte Ukrainën për bashkëpunim me sulmuesit.

Një narrativ i cili përpiqet të bindë rusët se lufta në Ukrainë është një nevojë për mbrojtjen e Rusisë ka qenë pjesë e përpjekjeve të Putinit për të justifikuar veprimet e tij.

Ndërsa, sugjerimi i një përfshirjeje të Perëndimit në sulm ka ndezur pikëpyetje dhe kritika për motifet dhe besueshmërinë e akuzave të Putinit.

Në këtë situatë, të sugjerosh se sulmi ishte punë e Perëndimit mund të jetë një përpjekje për të zbutur goditjen, sado simbolike të jetë, për atë që Alexander Vershbow, hulumtues në Këshillin e Atlantikut dhe ish-ambasador amerikan në Moskë, tha se ishte “një dështim serioz i inteligjencës”.

Dështimi për të detektuar një kërcënim të tillë është vështirë i shpjegueshëm duke pasuar parasysh faktin se më herët gjatë marsit, SHBA-ja paralajmëroi Rusinë se sipas informacioneve, ekstremistët kishin plane për një sulm në një të ardhme të afërt.

Shto këtu faktin që tri ditë para se të ndodhte sulmi, Putin publikisht i kishte hedhur poshtë këto paralajmërime duke i cilësuar si përpjekje “provokuese” për të “frikësuar dhe destabilizuar shoqërinë tonë”.

Pra, një motiv për të sugjeruar se SHBA-ja mund të ketë pasur një rol në sulm mund të ketë qenë për t’u përshtatur me paralajmërimin amerikan – që u lëshua para zgjedhjeve presidenciale ruse të mbajtura më 15-17 mars – në një narrativ më të gjerë të një lufte në të cilën armiqtë e Rusisë nuk ndalen para asgjëje në mënyrë që të kenë avantazhin.

Ukraina ka mohuar se ka ndonjë rol në sulm dhe zëdhënësja e Këshillit amerikan të Sigurisë Kombëtare, Adrienne Watson, tha më 24 mars se “nuk ka asnjë përfshirje ukrainase” në këtë ngjarje.

Përderisa nuk ka ndonjë dëshmi të dukshme të lidhjes së sulmit me Ukrainën, duket se ka një lidhje me Azinë Qendrore: Autoritetet ruse kanë ndaluar të paktën 11 persona dhe kanë lënë në paraburgim tetë prej tyre, përfshirë katër shtetas të Taxhikistanit të cilët po akuzohen se kryen sulmin.

Për shkak se Rusia varet shumë nga punëtorët migrantë nga Taxhikistani dhe shtetet e tjera të Azisë Qendrore, identiteti i sulmuesve të dyshuar paraqet “një dilemë serioze politike” për Putinin, tha Mark Galeotti, analist për politikat ruse dhe çështjet e sigurisë.

“Nëse ai thotë ‘Po, ky ishte Shteti Islamik, që operon përmes banorëve të Azisë Qendrore dhe punëtorëve migrantë’, më pas, gjëja e parë që ai do të bënte është të përkeqësonte tensionet racore, që janë një çështje problematike në Federatën Ruse shumetnike, me shumë besime fetare e ku 10 për qind e popullatës janë myslimanë.

Por, po ashtu atëherë shtrohet pyetja: Çfarë do të bëni për këtë?”.

Përfundimi i pashmangshëm do të ishte një lloj shtypjeje ndaj banorëve të Azisë Qendrore, e cila, siç e dimë nga përvoja e kaluar do të trajtohej në një mënyrë mjaftë të dhunshme dhe të pandjeshme”, tha ai.

“Për momentin, Rusia nuk mund të përballojë që të tjetërsojë dhe dëbojë këta punëtorë nga Azia Qendrore, ka nevojë për ta… Midis ndikimit të luftës dhe nevojës që fabrikat e sektorit të mbrojtjes të funksionojnë plotësisht, në fakt ka mungesë të fuqisë punëtore”.

Sulmi në Moskë ka përkeqësuar tensionet etnike dhe shfaqja në publik e pamjeve grafike që tregojnë oficerët rusë duke abuzuar me të arrestuarit mund të jetë projektuar që të shuajë çdo etje për hakmarrje. Por, Putini mund të shpresojë të shmangë hapa më të gjerë si vendosja e kufizimeve më të rënda për hyrjen në Rusi të qytetarëve nga Taxhikistani dhe nga fqinjët e saj, tha Galeotti, sepse kjo do të “dëmtonte ekonominë ruse dhe do të dëmtonte pozitën e Rusisë karshi aleatëve të saj të rëndësishëm në Azinë Qendrore”.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT