Në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë është depozituar kërkesa e shtetasve Feruzan Durdaj dhe Zamira Durdaj, trashëgimtarë të viktimës E.D., i cili ka humbur jetën në moshën 7 vjeç, me objekt ndjekjen penale të shtetasit Fatmir Mediu, ish Ministër i Mbrojtjes së Shqipërisë.
Nga analizimi i pretendimeve të parashtruara në kërkesën e mësipërme, nga rezultatet e veprimeve verifikuese të kryera lidhur me faktet e pretenduara, si dhe nga shqyrtimi i dokumentacionit të administruar, është arritur në përfundimin se ekzistojnë të gjitha shkaqet ligjore për revokimin e vendimit të pushimit të çështjes penale ndaj shtetasit Fatmir Mediu, e pushuar me vendimin nr.6, datë 14.09.2009 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.
Konkretisht, në datën 15.03.2008, në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, në fshatin Gërdec, në Tiranë, ku ushtronte aktivitetin e ç’militarizimit dhe ç’montimit të municioneve luftarake shoqëria “Albademil” sh.p.k., ndodhën një seri shpërthimesh masive që sollën pasoja të rënda. Si rezultat i kësaj ngjarje u shkaktua vdekja e 26 personave, plagosja e rëndë e 27 personave, plagosja e lehtë e 109 personave, dëmtime të parëndësishme për 67 persona, si dhe dëmtime të tjera të paklasifikuara të 61 personave që janë trajtuar në spitale e qëndra shëndetësore. Po kështu, kjo ngjarje solli pasoja dhe dëmtime të pasurive të ndryshme në total në vlerën 2.243.843.616 lekë, duke përfshirë pasuri të shtetasve dhe pasuri shtetërore e publike.
Lidhur me këtë ngjarje Prokuroria e Përgjithshme rregjistroi proçedimin penal nr.3 viti 2008 dhe ushtroi ndjekjen penale ndaj shtetasit Fatmir Mediu në cilësinë e ish-Ministrit të Mbrojtjes, si dhe ndaj shumë personave të tjerë. Në përfundim të hetimeve paraprake, në datën 13.03.2009, Prokuroria e Përgjithshme paraqiti në Gjykatën e Lartë kërkesë për gjykimin e çështjes penale nr.3 viti 2008. Në këtë hetim shtetasi Fatmir Mediu u akuzua për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal, si dhe për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues, parashikuar në nenet 70/2 e 2 të Kodit Penal Ushtarak dhe neni 25 i Kodit Penal.
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë me vendimin nr.6, datë 14.09.2009, vendosi pushimin e proçedimit penal në ngarkim të të pandehurit Fatmir Mediu, për shkak se ndjekja penale ndaj tij nuk mundet që të vazhdojë. Kolegji Penal ka arsyetuar se zgjedhja e shtetasit Fatmir Mediu deputet në Kuvend me vendimin e datës 01.08.2009 (rizgjedhja si deputet pas dërgimit të çështjes në gjyq) dhe mungesa e një autorizimi për proçedim të Kuvendit të Shqipërisë për këtë person pas mandatimit si deputet, është një prej rrethanave ligjore të parashikuara nga neni 290/1, shkronja (e) të Kodit të Proçedurës Penale, në bazë të të cilit ndjekja penale e filluar në ngarkim të shtetasit Fatmir Mediu nuk mundet që të vazhdojë.
Shkaku ligjor për të cilin Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë me vendimin nr.6, datë 14.09.2009 ka vendosur pushimin e çështjes penale ndaj shtetasit Fatmir Mediu, ekzistenca e imunitetit parlamentar ndaj ushtrimit të ndjekjes penale, nuk ekziston më në legjislacionin proçedural penal. Bazuar në nenin 73 të Kushtetutës (ndryshuar me ligjin nr.88/2012) dhe nenit 288 të K.Pr.Penale (ndryshuar me ligjin nr.35/2017), imuniteti parlamentar i deputetit gjen zbatim për caktimin e masave të sigurimit “arrest në burg” dhe “arrest në shtëpi”, heqjen e lirisë në çfardo lloj forme, në rastin e kontrollit të banesës apo të personit, por deputeti nuk ka më imunitet parlamentar për ndjekjen penale ndaj tij, për hetimin apo për gjykimin e tij.
Prokuroria e Posaçme vlerëson se ndjekja penale për çështjen penale ndaj shtetasit Fatmir Mediu nuk ka asnjë pengesë që të vazhdojë, pengesa e autorizimit për proçedim ka qënë e përkohshme në momentin kur është vendosur pushimi i çështjes, ndërsa tani kjo pengesë nuk ekziston.
Për shkaqet e mësipërme, në datën 05.05.2021 Prokuroria e Posaçme ka paraqitur në Gjykatën e Lartë kërkesë për revokimin e vendimit të pushimit të çështjes penale ndaj shtetasit Fatmir Mediu, e pushuar me vendimin nr.6, datë 14.09.2009 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë dhe vijimin e proçesit gjyqësor ndaj shtetasit Fatmir Mediu, i akuzuar për veprat penale të parashikuara nga nenet 248 e 25 të Kodit Penal dhe nenet 70/2 e 2 të Kodit Penal Ushtarak.