Edmond Gashi, kirurgu i Onkologjikut që u bë i famshëm pas hetimeve të prokurorisë së Tiranës, rezulton të ketë mbi 13 pasuri të ndryshme në Tiranë, pasuri këto që kanë ngjallur dyshime mbi burimin e të ardhurave financiare të doktorit.
Apartamente, garazhe, llogari bankare dhe dy biznese, janë të regjistruara në emër të kirurgut të Onkologjikut, që “peshkonte” në shtet pacientët e sëmurë me kancer dhe i çonte në klinikën e tij private, duke i bërë operacionet me lek. Për këtë fakt ndaj kirurgut është ngritur akuza e “Shpërdorimit të detyrës” dhe Edmond Gashi është lënë në masën e sigurisë “Arrest shtëpie”.
Ka rezultuar se në emër të kirurgut Edmond Gashi, janë regjistruar dy biznese.
“Gashi-Medical” është një kompani e regjistruar në vitin 2021, ku 90 për qind të aksioneve i zotëron Edmond Gashi, ndërsa 10 për qind të kuotave të mbetura i zotëron vëllai i tij, Floren Gashi. Ky biznes ka si objekt tregtar: Import-Eksport dhe tregtim me shumicë dhe pakicë i pajisjeve mjekësore dhe laboratorike, kiteve dhe reagentëve, aksesorëve të nevojshëm, si dhe dhënia në përdorim dhe me qira të aparaturave etj.
Një tjetër biznes është klinika “Medical Clinic MEGIS” e regjistruar në vitin 2019, ku edhe këtu 90 për qind të kuotave i disponon doktori Edmond Gashi, ndërsa 10 për qind të aksioneve i disponon Manjola Gashi.
Në emër të Edmond Gashit janë të regjistruar dy garazhe me sipërfaqe prej 21 m2 secili në zonën e Yzberishtit, një dyqan me sipërfaqe 34 metra katror në të njëjtën zonë, si dhe një apartament 62 metra katror në Yzberisht.
Gjithashtu, disponon një tjetër apartament po në Yzberisht me sipërfaqe prej 90.4 metra katror. Edmond Gashi, gjithashtu, disponon apartament me sipërfaqe 50 m2 në emër të vëllait të tij, Eduard Gashi, Anila Gashi, Fatbardha Hasani, të cilën pasurisë është me barrë hipotekore në favor të Drejtorisë Rajonale Tatimore për pjesën takuese të Anila Gashit.
Në emër të Edmond Gashit dhe Manjola Gashit, është regjistruar një pasuri prej 110 m2 me vlerë prej 47 mijë euro.
Edmond Gashi disponon dhe një dyqan me vlerë financiare fillestare prej 45 mijë euro në zonën e Yzberishtit, si dhe një tjetër apartament me sipërfaqe 62 m2 të regjistruar në vitin 2022 në të njëjtën zonë.
Në emër të Edmond Gashit, është i regjistruar edhe një automjet “Benz-Mercedez” E300DT.