Gjykata e Sarandës ka vendosur të lërë në burg 41-vjeçarin Klementin Islamaj, i akuzuar për vrasjen e babait të tij, Hysen Islamaj, pasi kishte mësuar për vrasjen e nënës së tij, Shano Islamaj. Islamaj ka treguar në gjykatë se nuk kishte pasur qëllim të vriste babanë e tij dhe ka shpjeguar ngjarjen e rëndë.
“Jam i divorcuar dhe kam tre fëmijë nga dy martesa. Dy prej fëmijëve kishin ardhur në shtëpinë tonë një muaj më parë. Kur dëgjova zhurmë nga shtëpia, pasi isha në kafe, mendova se u kishte ndodhur diçka fëmijëve. Kur mbërrita, pashë që kishte goditur mamanë me sopatë dhe kishte hapur kokën e saj. Pashë trutë e saj në tokë. Nuk di si u ndjeva në atë moment. Nuk kam dashur ta vras, thjesht e shtyva dhe u pengua,” ka thënë Klementin Islamaj.
Prokurorja e çështjes, Valbona Maja, ka kërkuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “vrasje e kryer në kushtet e tronditjes së fortë psikike”. Ndërsa avokati Merdan Nora ka kërkuar një masë më të lehtë sigurimi, si “garancia pasurore”.
Vëllai dhe motra e Klementin Islamajt kanë shprehur gatishmërinë për të paguar garancinë në mbështetje të vëllait të tyre. Ata kanë dëshmuar se babai i tyre ka qenë i dhunshëm gjatë gjithë jetës me nënën e tyre dhe me ta vetë. Pas shqyrtimit të kërkesave, gjyqtari Fatmir Ndreu ka pranuar kërkesën e prokurorisë dhe ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg” për Klementin Islamaj.