0.5 C
Tiranë
Sunday, November 24, 2024
spot_img

Uniformat e reja të Kombëtares Shqiptare: Një pasqyrë e identitetit dhe kulturës kombëtare

Federata Shqiptare e Futbollit ka prezantuar uniformat e reja që do të veshin Shqiponjat në ndeshjet e ardhshme ndërkombëtare. Pas një Kampionati Europian “Gjermani 2024” ku kombëtarja shqiptare tregoi një performancë të fortë dhe përfaqësuese, duke vënë në vështirësi kundërshtarë të nivelit të lartë si Italia, Kroacia dhe Spanja, ekipet e Silvinjos luajtën me ndjenja dhe forcë deri në fund, me disa rezultate të rëndësishme, përfshirë një barazim 2-2 me Kroacinë dhe një humbje minimale nga Spanja që më pas u shpall Kampione e Europës. Eksperienca në Euro 2024 ka qenë një përvojë e çmuar për Kombëtaren shqiptare, e cila tani është e vetëdijshme për potencialin dhe mundësitë e saj për të arritur objektiva të mëdha.

Akti i parë i edicionit të ardhshëm që premton të sjellë emocionet e mëdha është prezantimi i uniformave të reja të lojës që ekipet kombëtare do të mbajnë në ndeshjet ndërkombëtare në UEFA Nations League. Fanellat e reja janë krijuar për të përfaqësuar identitetin dhe lidhjen e fortë të skuadrës me traditën dhe kulturën shqiptare. Ngjyrat, simbolet dhe referencat artistike i bëjnë uniformat unike dhe të veçanta.

Fanella e parë për ndeshjet në shtëpi është e ngjyrës së kuqe tradicionale, ngjyra e flamurit shqiptar, me pjesën e qafës dhe skajet e mëngëve në ngjyrë të zezë. Karakteristika grafike që e bën të veçantë këtë fanellë është stampimi në pjesën e përparme me një dizajn tipik të kulturës shqiptare, veçanërisht e përdorur në veshjet tradicionale, në sixhade dhe stolitë e tjera. Dizajni alternon me simbolin e shqiponjës me dy koka. Pjesa e brendshme pas qafës është e personalizuar me një etiketë në sfond të kuq që përmban grafikën e pranishme në fanellë, shkrimin FSHF, logon e Macron dhe shkrimin ‘Designed in Bologna’. Në gjoks, në të djathtë, është stampimi i zezë prej silikoni, Macron Hero, dhe në të majtë është logoja e FSHF-së. Në fund të fanellës nga brenda është një shirit me shkrimin e ndarë nga dizajni i shqiponjës “Ti Shqipëri, më jep nder”, një frazë e kthyer në slogan të Shqipërisë, e marrë nga poezia e poetit të njohur Naim Frashëri. Në shpinë, në pjesën e jashtme të kornizës së qafës, është stampuar shkrimi SHQIPËRI (Albania) në ngjyrë të zezë, dhe e njëjta grafikë përsëritet në fund të fanellës. Pantallonat janë të zeza, me logon Macron Hero në shirita anësore. Çorapet janë gjithashtu të zeza, me dy shirita horizontalë në ngjyrë të kuqe në pjesën e sipërme, ngjyra e njëjtë me logon Macron Hero të vendosur mbi kavilje dhe shkrimin Shqipëri mbi pulpë.

Versioni i fanellës së dytë është i bardhë, me kornizën e qafës dhe skajet e mëngëve në të zezë dhe detaje të kuqe. Dizajni në pjesën e përparme është identik me atë të fanellës së parë, duke përfshirë stampimet përkatëse. Korniza e qafës, shiriti i personalizuar në pjesën e poshtme të fanellës nga brenda, detajet në pjesën e pasme të qafës dhe shkrimi në pjesën e poshtme të fanellës nga prapa janë identike me versionin e fanellës së parë. Pantallonat e shkurtra janë të bardha me shirita të zinj, dhe logon Macron Hero në anë. Çorapet e bardha kanë në pjesën e sipërme dy shirita të kuq e të zi dhe shpalosin logon Macron Hero dhe shkrimin Shqipëri në ngjyrë të zezë, përkatësisht sipër kaviljes dhe në pulpë.

Fanella e tretë është tërësisht e zezë, me një kornizë në qafë dhe detaje të kuqe, të pranishme gjithashtu në skajet e mëngëve. Ashtu si në fanellat e para dhe të dytë, kjo fanella ka një model të stampuar në pjesën e përparme me dizajnin tipik të kulturës shqiptare. Logon e Macron Hero në gjoks është në ngjyrë të kuqe, ashtu si logoja e FSHF e vendosur në të majtë. Kompleti përfundon me pantallona të shkurtra të zeza me logon Macron Hero në ngjyrë të kuqe në anë dhe çorape të zeza me një vijë horizontale të dyfishtë të kuqe në pjesën e sipërme. Logo Macron Hero mbi kavilje dhe shkrimi Shqipëri në pulpë janë gjithashtu në ngjyrë të kuqe.

Si të gjitha veshjet e realizuara nga Macron, edhe ato të Kombëtares shqiptare janë prodhuar në Eco Fabric, një material 100% poliestër i krijuar nga riciklimi i plastikës pas konsumit. Pëlhura e përdorur është Eco-Light Sirena dhe prania e panelit të pasmë në Eco Micromesh dhe përbërjet në Eco Mesh sigurojnë që veshja të jetë e lehtë dhe e ajrosur. Fanellat e reja të Kombëtares shqiptare mund të gjenden në dyqanin online në faqen e FSHF dhe faqen zyrtare të Macron.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT