18.5 C
Tiranë
Sunday, October 6, 2024
spot_img

Një muaj deri në Zgjedhjet Presidenciale në SHBA: Harris dhe Trump intensifikojnë fushatat

Me vetëm një muaj të mbetur deri në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit në Shtetet e Bashkuara, demokratja Kamala Harris dhe republikani Donald Trump po përpiqen të fitojnë mbështetje në komunitetet ku janë më të dobët.

Sondazhet tregojnë se nënpresidentja Harris gëzon mbështetje të lartë mes votueseve gra. Trump, gjatë një tubimi në Karolinën e Veriut, u zotua të përmirësonte jetën e grave amerikane, duke theksuar se gjatë presidencës së tij gratë ishin më të sigurta dhe me më pak probleme financiare dhe shëndetësore. “Unë do t’i rregulloj të gjitha këto probleme,” premtoi ai, duke iu referuar rritjes së çmimeve dhe vështirësive që gratë përballen sot.

Një nga arsyet kryesore që Trump renditet pas Harris tek votueset gra është qasja e tij ndaj abortit. Ai emëroi gjyqtarë në Gjykatën e Lartë që ndihmuan në anulimin e mbrojtjes federale të abortit në vitin 2022, çka solli kufizime në mbi njëzet shtete. Kjo çështje ka ngritur shqetësime të mëdha mes grave, sidomos në shtete si Xhorxhia.

Nga ana tjetër, Trump ka një mbështetje të fortë mes votuesve burra. Për të fituar mbështetje nga burrat, Harris ka marrë mbështetje edhe nga grupi kundër Trump-it, “Projekti Linkoln,” i cili thekson se ajo është kandidatja më e mirë për klasën e mesme. Reklamat e tyre synojnë të inkurajojnë burrat të votojnë për Harris, duke theksuar përfitimet ekonomike që ajo ofron.

Ekonomia mbetet çështja kryesore në këto zgjedhje. Trump ka premtuar të tërheqë investime të huaja dhe të krijojë më shumë vende pune, ndërsa Harris po propozon një ndihmë prej 25 mijë dollarësh për blerësit e rinj të shtëpive.

Ndërsa shumica e shteteve kanë vendosur për kë do të votojnë, fati i zgjedhjeve do të përcaktohet në shtetet fushëbetejë si Miçigani, Uiskonsin, Pensilvania, Xhorxhia, Karolina e Veriut, Arizona dhe Nevada. Këto shtete do të luajnë rol vendimtar në përcaktimin e fituesit të zgjedhjeve.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT