10.5 C
Tiranë
Saturday, November 23, 2024
spot_img

Afera e Tunelit të Llogarasë: Hetimet ngren dyshime për korrupsion dhe presione politike ndaj SPAK

Hetimet mbi projektin e tunelit të Llogarasë kanë ngritur shqetësime të mëdha lidhur me korrupsionin dhe ndikimet politike që po ushtrohen ndaj Prokurorisë së Posaçme (SPAK). Ky proces hetimor ka nisur pas kallëzimit të bërë nga opozita gjatë verës, dhe burimet bëjnë me dije se ka presione të fshehta për të ndikuar në drejtimin e hetimeve, duke synuar të minimizojnë përfshirjen e zyrtarëve të lartë, përfshirë këtu edhe Belinda Ballukun, ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë. Sipas burimeve, prokurorët kanë marrë masa të ashpra ndaj këtyre përpjekjeve dhe kanë bërë të qartë se nuk do të tërhiqen, pavarësisht shantazheve. Ato kanë mbledhur prova të shumta, duke përfshirë fakte, foto dhe denoncime të rëndësishme.

Tuneli i Llogarasë është përshkruar si një mega aferë korruptive nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, i cili gjatë një interviste në “Çim Peka Live”, ka folur për disa takime në Turqi, që sipas tij çuan në rritjen e kostos së projektit me 30 milionë euro, të cilat përfunduan në duart e një kompanie turke që nuk kishte realizuar asnjë punim. Kjo kosto shtesë prej 30 milionë eurosh është konsideruar si një dëm i madh për buxhetin e shtetit. Sipas dosjes së dorëzuar nga opozita në SPAK, një fitues i paracaktuar i tenderit u vendos pas një takimi të zhvilluar në Ankara më 3 qershor 2021, vetëm 21 ditë para rishpalljes së tenderit. Ka edhe foto të ministres Balluku në këtë takim, të cilat kanë qenë pjesë e denoncimeve.

Konkluzionet e Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) mbështesin deponimet e Arben Ahmetajt, duke konstatuar se ministrja Balluku ka miratuar ndryshime në buxhetin e shtetit përmes dy akteve normative në dhjetor 2022, duke shtuar 50 milionë euro për Ministrinë e Infrastrukturës. Këto ndryshime u miratuan në kundërshtim me ligjin dhe pa analiza të hollësishme, çka ka ngjallur dyshime mbi arsyet reale të këtyre akteve.

KLSH ka evidentuar edhe pagesa pjesore të faturave për projektin e tunelit të Llogarasë, duke shkelur ligjet për zbatimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë. Kompania turke “INTEKAR – ASL”, e drejtuar nga Abdulkadir Kart, një mik i presidentit Erdogan, ka përfituar pagesa në vlerë prej 178 milionë eurosh nga Ministria e Infrastrukturës deri në korrik të vitit 2024, për punimet në tunel.

Afera filloi në vitin 2021, kur nisën procedurat për këtë projekt. Në tenderin e parë, u paraqitën gjashtë oferta, por asnjëra nuk u konsiderua e përshtatshme nga ministria, dhe tenderi u anulua. Më pas, kushti i ndërtimit të tunelit prej 8 kilometrash u kufizua nga pesë në tre vjet, një lëvizje që favorizoi eliminimin e konkurencës. Tenderi u rishpall në qershor 2021 dhe u zhvillua më 28 korrik. Megjithatë, oferta më e ulët, e bërë nga një bashkim kompanish shqiptare dhe të huaja, u skualifikua, dhe fitues u shpall një bashkim kompanish turke që ofroi një çmim më të lartë.

Kjo procedurë prokurimi është shënjestruar me “flamur të kuq”, duke nxitur dyshime të mëdha për abuzime. Ahmetaj ka pretenduar se ky tender ishte ndikuar nga takime të fshehta në Ankara midis kryeministrit Rama, ministres Balluku dhe drejtuesve të kompanive turke, që, sipas tij, ishin pjesë e një marrëveshjeje për ndarjen e fondit prej 170 milionë eurosh.

SPAK ka deklaruar se nuk do të ndalet në hetimet për këtë aferë, pavarësisht përpjekjeve për të ndikuar procesin. Faktet, sipas burimeve, janë të shumta dhe të qëndrueshme, dhe prokurorët kanë siguruar se do të vijojnë hetimet deri në fund, pa marrë parasysh presionet.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT