Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, u paraqit këtë të premte në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) për të dhënë deklarime lidhur me çështjen e rihapur të “21 Janarit”. Pasi doli nga SPAK, Tahiri shpjegoi shkurtimisht se ishte marrë në pyetje si protestues dhe kallëzues për ngjarjet e asaj dite.
Në lidhje me procesin ndaj tij në Gjykatën e Lartë, Tahiri u shpreh: “Pres pafajësi”.
Kjo është e fundit në serinë e pyetjeve të SPAK për çështjen e 21 Janarit, pas marrjes në pyetje një ditë më parë të deputetit të Partisë Socialiste, Xhemal Qefalia.
Ngjarja e 21 Janarit dhe hetimi i ri nga SPAK
Në datën 21 Janar 2011, katër protestues të opozitës u vranë gjatë një tubimi në bulevardin përballë Kryeministrisë. Mes viktimave ishin Ziver Veizi, Hekuran Deda, Aleks Nika dhe Faik Myrtaj. Gardisti Agim Llupo dhe ish-komandanti i Gardës, Ndrea Prendi, ishin të pandehur për vrasjen e Ziver Veizit dhe Hekuran Dedës. Vrasja e Aleks Nikës mbetet ende e pazbardhur.
Në korrik të këtij viti, SPAK regjistroi një hetim të ri për çështjen “21 Janari”, si rezultat i një vendimi nga Gjykata e Lartë, e cila urdhëroi hetimin e kallëzimit të bërë nga Rajmonda Nika, bashkëshortja e viktimës Aleks Nika. Kallëzimi është drejtuar ndaj ish-zyrtarëve Sali Berisha, Lulzim Basha dhe Ndrea Prendi, duke kërkuar përgjegjësi ligjore për rolin e tyre në ngjarjet e asaj dite.