37.2 C
Tiranë
Friday, August 14, 2026

Aeroporti i Vlorës në krizë/ Pacolli kundërshton qeverinë për anulimin e koncesionit dhe publikon mesazhin e koduar: “Njeriu më i poshtër është ai që të kthen shpinën”

Biznesmeni kosovar Behgjet Pacolli ka kundërshtuar zyrtarisht vendimin e qeverisë shqiptare për zgjidhjen e parakohshme të kontratës koncesionare për Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, ndërsa përmes një postimi në rrjetet sociale ka publikuar një mesazh që duket se i referohet përplasjes së tij me ortakun Valon Ademi.

Kompania MABCO Constructions, e kontrolluar nga Pacolli dhe zotëruese e 98% të kuotave të shoqërisë koncesionare Vlora International Airport, i ka kërkuar Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë që të nisë negociatat në mirëbesim për zgjidhjen e mosmarrëveshjes.

Në shkresën e depozituar më 10 gusht 2026, MABCO e konsideron vendimin për zgjidhjen e kontratës “të pabazuar” dhe argumenton se një pjesë e rëndësishme e rrethanave që kanë penguar përfundimin dhe vënien në operim të aeroportit nuk mund t’i atribuohen investitorit.

Qeveria anuloi koncesionin

Më 3 gusht, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi zgjidhjen e parakohshme të kontratës, duke përmendur ndër të tjera mosrealizimin e datës së operimit brenda afatit kontraktor, mos përfundimin e punimeve, mosmbajtjen në fuqi të sigurimit të kontratës dhe mospagimin e penaliteteve.

Në problematikat e evidentuara nga MIE janë përfshirë edhe konfliktet mes ortakëve të shoqërisë koncesionare dhe marrëveshja e huadhënies me Delphos Securities.

MABCO e kundërshton këtë version dhe pretendon se vonesat janë shkaktuar ose rënduar nga veprimet dhe mosveprimet e institucioneve shqiptare.

Sipas kompanisë, Ministria ishte informuar për situatën përmes më shumë se 90 shkresave, në të cilat kërkohej ndërhyrja e Autoritetit Kontraktues për zhbllokimin e administrimit të shoqërisë dhe krijimin e kushteve për vijimin e projektit.

MABCO: Na u pengua hyrja në kantier

Një nga argumentet kryesore të kompanisë lidhet me aksesin në kantierin e aeroportit.

MABCO pretendon se më 18 dhe 19 maj 2026, rreth 200 punonjës, inxhinierë dhe specialistë të saj nuk u lejuan të hynin në kantier, pavarësisht se në zonë ndodheshin efektivë të Policisë së Shtetit.

Sipas kompanisë, mungesa e ndërhyrjes së autoriteteve kontribuoi në bllokimin e punimeve dhe thellimin e vonesave.

MABCO kundërshton gjithashtu mënyrën e administrimit të shoqërisë koncesionare, duke pretenduar se administratori i emëruar me votën e ortakut që zotëron 2% të kuotave ka përjashtuar aksionarin mazhoritar nga vendimmarrja efektive.

Sipas saj, kjo situatë ka ndikuar edhe në procese të rëndësishme si certifikimi i aeroportit, përditësimi i lejes së ndërtimit, pagesat, importi dhe instalimi i pajisjeve dhe koordinimi me operatorët ndërkombëtarë.

“Kemi vijuar financimin e projektit”

MABCO pretendon se, pavarësisht problemeve, ka vijuar investimet dhe përgatitjet për përfundimin e aeroportit.

Kompania thotë se kishte kontraktuar fillimisht Munich Airport International për shërbime teknike dhe ekspertizë aeroportuale, me produkte teknike me vlerë mbi 1.5 milionë euro.

Më 22 janar 2026, sipas MABCO-s, u angazhua daa International, Dublin Airport Authority, për shërbime teknike, certifikim, ORAT dhe përgatitjen operative të aeroportit.

Kompania pretendon gjithashtu se ka vijuar kontraktimin dhe pagesat për pajisje të nevojshme për certifikimin dhe operimin e aeroportit.

Sipas dokumentacionit të cituar nga MABCO, terminali ishte zgjeruar në rreth 22 mijë metra katrorë, përfshirë një mezzanine prej rreth 5 mijë metrash katrorë dhe dy ura lidhëse për pasagjerët.

Debati për sigurimin dhe penalitetet

MABCO kundërshton edhe argumentin e qeverisë lidhur me sigurimin e kontratës.

Sipas kompanisë, edhe nëse mosmbajtja në fuqi e sigurimit do të konsiderohej shkelje materiale, kontrata parashikon një afat 60-ditor për korrigjimin e saj.

MABCO argumenton se MIE e kishte ngritur këtë çështje vetëm më 16 korrik 2026 dhe se afati për korrigjim nuk kishte përfunduar kur u njoftua zgjidhja e kontratës.

Kompania kundërshton edhe penalitetet për vonesat, duke pretenduar se kontrata përjashton pagesën e tyre në rast se data e operimit është penguar apo shtyrë nga një “Veprim Material i Pafavorshëm Qeveritar”.

Pacolli kërkon negociata, por nuk përjashton përshkallëzimin ligjor

Në shkresën e 10 gushtit, MABCO nuk njofton nisjen e një procedure arbitrazhi. Kompania kërkon fillimisht negociata në mirëbesim me qeverinë, sipas mekanizmit të përcaktuar në kontratë.

Ajo propozon që negociatat të zhvillohen brenda 15 ditëve pune nga marrja dijeni e shkresës dhe, në çdo rast, jo më vonë se 31 gusht 2026.

Megjithatë, MABCO rezervon të gjitha të drejtat dhe mjetet juridike që i burojnë nga kontrata, legjislacioni shqiptar, e drejta ndërkombëtare dhe marrëveshja Shqipëri-Zvicër për mbrojtjen e investimeve.

Kjo do të thotë se, nëse negociatat dështojnë, mbetet e hapur mundësia e një përshkallëzimi të mëtejshëm ligjor, përfshirë një proces të mundshëm arbitrazhi.

Mesazhi i Pacollit: “Njeriu më i poshtër është ai të cilit i ke hapur derën dhe zemrën”

Në të njëjtën kohë që kompania e tij po përballet me qeverinë për koncesionin e Aeroportit të Vlorës, Behgjet Pacolli ka publikuar në Facebook një mesazh të predikuesit fetar Behar Mjekiqi, i cili duket se lidhet me përplasjen e tij me ortakun Valon Ademi.

Pacolli ka shpërndarë një tekst që flet për njerëzit mosmirënjohës dhe të pabesë, duke theksuar se personi më i keq është ai të cilit i ke dhënë besim dhe më pas të kthen shpinën.

“Njeriu më i poshtër dhe më i keq është ai të cilit i ke hapur derën dhe zemrën, i ke dhënë besimin tënd dhe gjithçka që ke mundur, ndërsa në një moment ai të kthen shpinën.”

Mesazhi vijon duke pretenduar se një person i tillë mund të krijojë më pas akuza dhe justifikime për të bindur veten se pala tjetër është fajtore.

Postimi vjen në një moment kur Pacolli dhe Valon Ademi janë përfshirë prej muajsh në një përplasje ligjore lidhur me Aeroportin e Vlorës.

Përplasja mes dy ortakëve ka ndikuar edhe në administrimin e shoqërisë koncesionare dhe është bërë pjesë e argumenteve të përdorura tashmë nga MABCO në kundërshtimin e vendimit të qeverisë për zgjidhjen e kontratës.

Në këtë fazë, beteja për Aeroportin e Vlorës mbetet e hapur: Pacolli kërkon negociata me qeverinë, ndërsa njëkohësisht ka lënë të rezervuara të gjitha rrugët ligjore nëse palët nuk arrijnë një marrëveshje.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT

29 vatra zjarri në 24 orë, 11 ende aktive/ Ministria e Mbrojtjes: Ja zonat...

0
Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 29 vatra zjarri në të gjithë vendin, ndërsa 11...

Kurti: “President konsensual për të shmangur zgjedhjet e reja, jam gati të takohem me...

0
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje është e gatshme të zhvillojë diskutime me partitë e tjera për zgjedhjen...

Rikthehen në duart e policisë 3 piktura me vlerë mbi 9 milionë euro, të...

0
Tre vepra arti me vlerë totale mbi 9 milionë euro, të vjedhura në mars nga Fondacioni Magnani Rocca në Mamiano di Traversetolo, pranë Parmës,...

Aksident në Durrës, përmbyset Hyundai Tucson që po dërgonte një vajzë në spital

0
Një automjet tip Hyundai Tucson është përmbysur në një nga rrugët kryesore të Durrësit, teksa po lëvizte në drejtim të Spitalit Rajonal. Ngjarja ka ndodhur...

Ishte në “arrest shtëpie” për vjedhje, 20-vjeçari nuk ndalet: kryen 8 vjedhje brenda një...

0
Një 20-vjeçar është arrestuar në Tiranë, pasi dyshohet se ka shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të vendosur ndaj tij për vjedhje, dhe...