Një 23-vjeçar nga Kosova është arrestuar në Greqi, pasi dyshohet se ka tentuar të përdhunojë një turiste italiane në ishullin e Mykonosit.
Sipas mediave greke, ngjarja është denoncuar nga turistja, e cila u ka treguar autoriteteve se incidenti ka ndodhur në një shezlong në një prej lokaleve të plazhit në ishull.
Gjatë dëshmisë së saj, turistja ka deklaruar se kishte konsumuar një sasi të madhe alkooli dhe, për pasojë, nuk ishte në gjendje të reagonte apo të largohej nga vendi.
Sipas pretendimeve të saj, 23-vjeçari dyshohet se ka përfituar nga gjendja e saj dhe ka kryer një akt seksual pa pëlqimin e saj.
Pas denoncimit, autoritetet greke nisën hetimet për identifikimin e të dyshuarit. 23-vjeçari u lokalizua në zonën e Platis Gialos, ku edhe u arrestua nga policia.
Ai pritet të paraqitet përpara organit kompetent të prokurorisë, ndërsa hetimet dhe procedurat ligjore për rastin vijojnë.
Deri në një vendim gjyqësor përfundimtar, pretendimet ndaj të arrestuarit mbeten akuza dhe nuk përbëjnë provë të fajësisë.





