Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas aksidentit tragjik në një kantier ndërtimi në Vjenë, ku humbën jetën katër persona, përfshirë tre shqiptarë nga Kosova. Ai ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave dhe për të gjithë të prekurit nga kjo humbje e madhe.
“Na ka tronditur thellësisht lajmi për vdekjen tragjike të disa personave në Austri. Sipas informacioneve zyrtare nga Ambasada jonë atje, tre prej tyre janë identifikuar si qytetarë të Republikës së Kosovës,” tha Kurti.
Kryeministri njoftoi gjithashtu se qeveria po mbetet në komunikim të vazhdueshëm me ambasadën në Vjenë për të ofruar gjithë mbështetjen e nevojshme në këto momente të vështira.






