Ambasadori i Britanisë së Madhe në Tiranë, Alastair King-Smith, ka treguar se si u arrit marrëveshja mes Anglisë dhe Shqipërisë për transferimin e të burgosurve shqiptarë.
I mandatuar për të negociuar me qeverinë shqiptare marrëveshjen, ai ka treguar për Top Channel se si u finalizua marrëveshja.
Ai thotë se Qeveria Britanike garanton mbi 14 milionë euro për Shqipërinë, për të përballuar koston e transferimeve të të burgosurve, por gjithashtu për të modernizuar shërbimin e burgjeve në Shqipëri.
Ambasadori thekson se kjo marrëveshje mundëson kthimin e atyre që morën të drejtën e transferimit dhe të atyre që u kanë mbetur mbi 4 vjet dënim.
Intervista
Shkëlqesi ambasador. Në dijeninë time me mbështetjen e kryeministrave Sunak dhe Rama, ju bashkë me ministrin Ulsi Manja ishit forca udhëheqëse e negociatave për marrëveshjen. Si mundët të ishte e suksesshme?
Ambasadori Alastair King-Smith: Kjo është një marrëveshje e re mes Qeverive të Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë, e cila dëshmon forcën e bashkëpunimit dhe partneritetit tonë. Ajo implementon Marrëveshjen e Transferimit të Burgosurve dhe ka qenë subjekt i negociatave mes dy Ministrive tona të Drejtësisë dhe të dy Qeverive. Ne jemi vërtet të kënaqur sepse kjo marrëveshje do të na mundësojë të implementojmë pakte ekzistuese, në një mënyrë efektive.
Cila është formula e dakordësuar për sa i përket kostos financiare paguar nga Anglia për çdo shqiptarë të transferuar në burgjet shqiptare?
Ambasadori Alastair King-Smith: Kjo marrëveshje ka një numër elementësh, por në thelb, Qeveria Britanike po garanton mbi 14 milionë euro për Shqipërinë, për të përballuar koston e transferimeve të të burgosurve, por gjithashtu për të modernizuar shërbimin e burgjeve në Shqipëri. Kjo do të thotë se po merret ekspertiza më e mirë britanike, e cila siguron standarde më të larta për burgjet shqiptare, por nga ana tjetër, duke u siguruar që kjo marrëveshje do të implementohet në mënyrë efektive. Burgjet britanike janë të tej mbushur, burgjet shqiptare janë të tej mbushur, e vetmja mënyrë për ta bërë këtë është nëse bashkëpunojmë që ta çojmë përpara marrëveshjen.
Në burgjet angleze sot janë mbi 1500 shqiptarë. Marrëveshja parashikon transferimin e 200 prej tyre. Çfarë do të ndodh me pjesën tjetër?
Ambasadori Alastair King-Smith: Kjo marrëveshje mundëson kthimin e atyre që morën të drejtën e transferimit dhe të atyre që u kanë mbetur mbi 4 vjet dënim. Disa nga ata që ju përmendët, janë në pritje të gjykimit dhe të tjerë nuk i përkasin asaj kategorie. Por ne e dimë që familja është me të vërtetë e rëndësishme në Shqipëri, dhe kjo marrëveshje mundëson që të burgosurit të kryejnë pjesën e mbetur të dënimit të tyre pranë familjes dhe do të përfitojnë vizitat e familjarëve të tyre.
Kur do të shikojmë shqiptarët e parë të transferuar në Shqipëri?
Ambasadori Alastair King-Smith: Marrëveshja do të zbatohet menjëherë. Në fakt, ka pasur ekspertë britanikë nga Ministria e Drejtësisë dhe Shërbimi i Burgjeve dhe i Provës i Madhërisë së tij këtu në Shqipëri këtë javë, të cilët punuan rreth mënyrës së implementimit të marrëveshjes. Natyrisht, transferimeve do t’u duhet më shumë kohë dhe kjo është subjekt i procesit të zakonshëm në gjykatat shqiptare. Por ne jemi të vendosur të ecim me ritëm. Ne kemi Komitetin e Përbashkët Mbikëqyrës të drejtuar nga të dy Qeveritë, çka do të thotë që mund të lëvizim me ritëm dhe ta zbatojmë me shpejtësi marrëveshjen.
Le të qartësojmë një aspekt. Nëse një shqiptarë në Angli është dënuar me 10 vite burg. Sa vite burg do të vuaj në Shqipëri?
Ambasadori Alastair King-Smith: Kësisoj pritshmëria është të shlyejnë të njëjtën gjatësi dënimi, por kjo është subjekt i marrëveshjeve dhe u takon gjykatave ta vendosin këtë, kjo është diçka që është pjesë e marrëveshjes.