Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar dërgimin e menjëhershëm të ekipeve të kërkim-shpëtimit, pajisjeve mjekësore dhe ndihmës humanitare në Venezuelë, pas tërmeteve të fuqishme që goditën vendin dhe shkaktuan dëme të mëdha materiale dhe humbje jetësh.
Lajmi u bë i ditur nga Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, i cili theksoi se operacioni humanitar po realizohet menjëherë dhe nën drejtimin e Presidentit amerikan, si pjesë e reagimit emergjent ndaj katastrofës natyrore.
Në një mesazh publik, Rubio shprehu ngushëllimet e tij për popullin venezuelian dhe solidaritetin e Shteteve të Bashkuara me familjet e prekura nga tragjedia.
“Shtetet e Bashkuara shprehin ngushëllimet e tyre më të thella për popullin e Venezuelës pas tërmeteve shkatërruese”, deklaroi ai.
Kryediplomati amerikan shtoi se mendimet e SHBA-së janë me familjet që kanë humbur të afërmit e tyre, me të plagosurit dhe me ekipet e shpëtimit që po punojnë pa ndërprerje në terren për të përballuar pasojat e katastrofës.
“Our hearts are with all those who have lost loved ones, those injured, and the courageous rescue workers working tirelessly in the aftermath”, u shpreh Rubio në reagimin e tij.
Ndihma amerikane pritet të përfshijë mbështetje logjistike, furnizime mjekësore dhe ekipe të specializuara për operacionet e kërkim-shpëtimit, ndërsa autoritetet venezueliane vazhdojnë vlerësimin e dëmeve dhe koordinimin e operacioneve emergjente në zonat e prekura nga tërmetet.





