Ndryshimi i papritur i imazhit në rrjetet sociale nga kryeministri Edi Rama, i cili zëvendësoi fotot e profilit dhe të kopertinës në Facebook me pamje flamingosh, ka ngjallur reagime të shumta dhe komente ironike në skenën politike.
Një prej reagimeve më të spikatura ka ardhur nga deputetja Marjana Koçeku, e cila pas largimit nga Partia Socialiste ka zgjedhur të ironizojë kreun e qeverisë përmes një postimi satirik në rrjetet sociale.
Koçeku ka përdorur imazhin e një prej kullave më të komentuara që po ndërtohet në qendër të Tiranës, pranë Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit. Edhe pse projekti zyrtar e paraqet ndërtesën si një vepër të frymëzuar nga figura e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, shumë qytetarë kanë komentuar se forma e saj ngjan më shumë me profilin e kryeministrit Rama.
Deputetja e ka modifikuar fotografinë e kullës duke i vendosur një sfond rozë, në të njëjtën linjë me imazhet e flamingove të përdorura së fundmi nga Rama në rrjetet sociale.
Mbi foton e montuar, Koçeku ka lënë edhe një mbishkrim ironik që po qarkullon gjerësisht në internet:
“Mund t’ia sugjeroni për foto profili.”
Postimi ka marrë reagime të shumta në rrjetet sociale, duke u shpërndarë gjerësisht mes përdoruesve dhe duke shtuar debatin rreth simbolikës së re të zgjedhur nga kryeministri në komunikimin e tij publik.





