Një shtetas shqiptar, Bledar Mansaku, 50 vjeç, është arrestuar në Tiranë në kuadër të operacionit policor të koduar “Operacionalja 88”, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane.
Gjykata e Apelit në Firence e kishte dënuar Mansakun në vitin 2024 me 7 vjet burg për veprën penale “trafikim i lëndëve narkotike”, të parashikuar nga Kodi Penal i Italisë. Arrestimi i tij në Shqipëri u krye në mënyrë provizore me qëllim ekstradimin drejt Italisë, ku do të vuajë dënimin e dhënë nga gjykata italiane.
Policia e Shtetit njofton se kapja e Mansakut u realizua nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale, pas një sërë operacionesh të njëpasnjëshme dhe pas sigurimit të informacionit në rrugë operative.
“Në vijim të operacioneve të zhvilluara nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, në Tiranë u bë i mundur lokalizimi dhe arrestimi i shtetasit Bledar Mansaku, 50 vjeç, banues në Tiranë. Arrestimi provizor i këtij shtetasi u krye me qëllim ekstradimin drejt Italisë,” njofton Policia.
Operacioni “Operacionalja 88” është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të Policisë Shqiptare për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe për ndihmën ndaj autoriteteve ligjzbatuese të vendeve të huaja në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikimit të lëndëve narkotike.






