Udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei, ka reaguar ashpër pas vrasjes së zyrtarit të lartë Ali Larijani, duke e cilësuar ngjarjen si një akt që dëshmon rëndësinë dhe ndikimin e tij në strukturat shtetërore.
“Nuk ka dyshim se kjo ngjarje dëshmon peshën e tij dhe urrejtjen që armiqtë e Islamit kishin ndaj tij”, u shpreh Khamenei në deklaratën e tij zyrtare.
Ai paralajmëroi se autorët e krimit do të përballen me pasoja të rënda, duke theksuar se një akt i tillë nuk do të mbetet pa përgjigje.
“Armiqtë duhet ta dinë se derdhja e këtij gjaku vetëm sa e forcon sistemin islamik. Çdo pikë gjaku do të ketë një çmim, të cilin autorët e këtij krimi do ta paguajnë herët a vonë”, deklaroi lideri iranian.
Në përmbyllje të mesazhit, ai shprehu ngushëllimet për familjen e të ndjerit, duke përmendur bashkëshorten dhe fëmijët e tij, ndërsa theksoi se figura e Larijanit do të mbetet e rëndësishme në historinë politike të vendit.
Deklarata vjen në një moment tensionesh të larta në rajon, ku zhvillimet e fundit kanë rritur ndjeshëm përplasjet dhe retorikën mes palëve.






