Eduardo Bolsonaro është dënuar nga Gjykata Supreme e Brazilit me 4 vjet e 2 muaj burg, pasi u shpall fajtor për përpjekje për të ndikuar në autoritetet amerikane gjatë procesit gjyqësor ndaj babait të tij, ish-presidentit Jair Bolsonaro.
41-vjeçari akuzohet se ka lobuar pranë zyrtarëve të SHBA-së për të ushtruar presion ndaj Brazilit përmes tarifave ose sanksioneve, me synimin për të favorizuar situatën ligjore të të atit. Eduardo Bolsonaro ishte zhvendosur në SHBA në vitin 2025, pak para se babai i tij të dënohej me 27 vite burg për komplotimin e një grushti shteti ushtarak pas humbjes së zgjedhjeve presidenciale.
Në një reagim në rrjetet sociale, Eduardo Bolsonaro e quajti vendimin e gjykatës “të pabazë dhe të pakuptimtë”, duke pretenduar se procesi kishte motivim politik.
“Dënimi është i pabazë dhe i pakuptimtë”, shkroi ai, duke shtuar se gjyqtarët po përpiqen ta pengojnë të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme.
Ai pretendoi gjithashtu se nuk ishte njoftuar zyrtarisht për procedurat dhe se ishte informuar për çështjen vetëm përmes raportimeve mediatike.
Më herët, Eduardo Bolsonaro kishte deklaruar për BBC se jetonte në “mërgim”, nga frika se mund të arrestohej nëse do të kthehej në Brazil.
Çështja ka tërhequr vëmendjen edhe në SHBA, ku administrata e Donald Trump kishte mbështetur publikisht Jair Bolsonaron, duke e krahasuar procesin ndaj tij me një “gjueti shtrigash”. Trump vendosi më herët tarifa 50% ndaj Brazilit, një vendim që presidenti aktual brazilian Luiz Inácio Lula da Silva e cilësoi si të gabuar dhe të pajustifikuar.
Ndërkohë, Gjykata Supreme e Brazilit vijon të trajtojë pasojat e ngjarjeve që pasuan zgjedhjet e vitit 2022, përfshirë sulmin ndaj institucioneve shtetërore në Brasilia nga mbështetës të Jair Bolsonaros në janar 2023.





