Policia sekuestron 5 kallëpë tritoli, dy armë zjarri dhe municion luftarak
Dy persona janë vënë në pranga nga Policia e Lezhës dhe Kurbinit, pas denoncimeve për dhunë në familje. Gjatë kontrolleve në banesat e tyre, efektivët kanë zbuluar armë zjarri, municion luftarak dhe lëndë plasëse.
Në Lezhë, në pranga ka rënë shtetasi M. P., 33 vjeç, banues në Lezhë, i cili dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së vëllait.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, policia ka gjetur dhe sekuestruar 5 kallëpë tritoli, një pushkë dhe municion luftarak.
Ndërkohë, në Kurbin, është arrestuar shtetasi G. K., 48 vjeç, banues në Mamurras, i dyshuar për ushtrim të dhunës psikologjike ndaj babait të tij.
Gjatë kontrollit në banesë, efektivët kanë gjetur të fshehur një armë zjarri automatik, me fishek në fole, si dhe municion luftarak.
Në total, gjatë operacioneve janë sekuestruar 5 kallëpë tritoli, dy armë zjarri dhe municion luftarak.
Sipas Policisë, arrestimet u kryen pas ndërhyrjeve të shpejta të strukturave të Lezhës dhe Kurbinit, pas telefonatave për raste të dhunës në familje.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.





