Maqedonia e Veriut – Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), dega në Çair, ka dënuar ashpër përdhosjen e muraleve me figurën e Adem Jasharit, Komandant Telit, emblemën e UÇK-së dhe simbole të tjera të luftës së shqiptarëve.
Sipas reagimit të BDI-së, akti merr një peshë edhe më të rëndë për shkak të momentit kur ka ndodhur, pikërisht në përvjetorin e masakrës ku ra Komandant Teli.
“Nuk mund të mos shqetësohemi për atmosferën që po krijohet në vend. Një pushtet i nënshtruar politikisht ka krijuar terren ku elementet radikale nacionaliste ndihen gjithnjë e më të inkurajuara të provokojnë shqiptarët, të prekin gjuhën e tyre, simbolet dhe tani edhe figurat e dëshmorëve”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Më tej, partia e lidh ngjarjen me një tjetër zhvillim të fundit, duke deklaruar:
“Dje u hoq gjuha shqipe nga tabelat shtetërore në Tabanoc. Sot përdhosen Adem Jashari, Komandant Teli dhe emblema e UÇK-së në Çair”.
BDI i ka kërkuar Ministrisë së Punëve të Brendshme që të veprojë urgjentisht për identifikimin e autorëve dhe sqarimin e motiveve të këtij veprimi.
“Kërkojmë nga Ministria e Punëve të Brendshme që urgjentisht të identifikojë autorët, të sqarojë motivet dhe t’i nxjerrë para përgjegjësisë. Presim reagim institucional, jo heshtje”, thuhet në deklaratën e BDI-së.
Partia kërkon që autorët të përballen me përgjegjësinë për veprimin, ndërsa thekson nevojën për një reagim institucional lidhur me ngjarjen.





