Durrës – Një situatë e rëndë mjedisore është denoncuar ditën e djeshme në Durrës, ku ujërat e zeza dyshohet se po derdheshin drejtpërdrejt në det, në një zonë të frekuentuar nga pushuesit gjatë sezonit turistik.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale kanë treguar ndotjen e bregdetit dhe kanë shkaktuar reagime lidhur me situatën e krijuar në kulmin e sezonit veror.
Pas publikimit të pamjeve, pranë kanalit shkarkues në zonën e Valamarit është parë një mjet i rëndë, i cili ka ndërhyrë në zonë për bllokimin e kanalit.
Ndërhyrja është kryer menjëherë pas publikimit të pamjeve, ndërsa mbetet ende e paqartë nëse rrjedhja është ndalur plotësisht dhe nëse do të merren masa të mëtejshme për pastrimin dhe rehabilitimin e zonës së prekur.
Ndërkohë, pritet që institucionet përgjegjëse të verifikojnë situatën në terren dhe të sqarojnë shkaqet e ndotjes, si dhe masat që do të ndërmerren për të parandaluar përsëritjen e një situate të tillë.
Ngjarja ngre shqetësime veçanërisht për shkak se është raportuar në kulmin e sezonit turistik, në një zonë ku gjatë kësaj periudhe qëndrojnë një numër i konsiderueshëm pushuesish.





