Italia dhe Franca kanë rënë dakord të krijojnë një koalicion të përbashkët për të mbështetur Libanin pas përfundimit të misionit të Forcës së Përkohshme të OKB-së (UNIFIL), i cili përfundon në fund të këtij viti.
Njoftimi u bë nga kryeministrja italiane Giorgia Meloni gjatë një konference të përbashkët për shtyp me presidentin francez Emmanuel Macron, pas samitit dypalësh të zhvilluar në Antibes.
“Misioni i OKB-së përfundon në fund të vitit dhe ne kemi vendosur të formojmë një koalicion për të mbështetur Libanin, për të zhvilluar një plan pas UNIFIL-it”, deklaroi Meloni.
Ajo bëri të ditur gjithashtu se në një të ardhme të afërt do të organizohet një konferencë ndërkombëtare kushtuar situatës në Liban.
Sipas Melonit, objektivi kryesor i nismës është garantimi i sigurisë në Lindjen e Mesme dhe forcimi i institucioneve libaneze.
“Italia dhe Franca kanë qenë gjithmonë në Liban, dhe për këtë arsye është plotësisht e natyrshme që vendet tona të udhëheqin një mision ndërkombëtar. Ne nuk do të fillojmë nga e para. Është e rëndësishme të ruhet qëllimi kryesor i sigurimit të monopolit të autoriteteve libaneze mbi kontrollin territorial. Nevojitet një mandat i qartë dhe i strukturuar, diçka që UNIFIL-it i mungon”, u shpreh ajo.
UNIFIL u krijua nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së në vitin 1978, pas ndërhyrjes ushtarake izraelite në Liban. Aktualisht, misioni përbëhet nga rreth 8,200 efektivë nga 47 vende dhe ka si detyrë monitorimin e armëpushimit, lehtësimin e ndihmës humanitare për civilët dhe mbështetjen e rikthimit të forcave të armatosura libaneze në jug të vendit.





