Spektakli personal i Edon Zhegrovës nuk mjaftoi për Juventusin, që u mposht 3-2 nga Sassuolo në transfertë në “Mapei”. “Zonja e Vjetër” pësoi një humbje dramatike, me një paraqitje të dobët në mbrojtje që i kushtoi shtrenjtë ekipit të drejtuar nga Luciano Spalletti.
Pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura, ndërsa Spalletti ndërhyri në formacion pas pushimit, duke hedhur në fushë Zhegrovën dhe Woltemade.
Ishte Sassuolo që kaloi në avantazh në minutën e 65-të, me Sebastiano Espositon, duke vënë Juventusin në vështirësi.
Kur gjithçka dukej se po shkonte keq për bardhezinjtë, në skenë doli Zhegrova. Sulmuesi dardan realizoi një gol të bukur në minutën e 82-të, duke barazuar shifrat në 1-1.
Juventusi u hodh përpara në kërkim të golit të fitores, por la hapësira pas. Sassuolo përfitoi dhe në minutën e 89-të, Boëie finalizoi një kundërsulm të shpejtë, duke rikthyer vendasit në avantazh.
Zhegrova nuk u dorëzua dhe në minutën e 91-të tundi sërish rrjetën. Me golin e dytë personal, ai kompletoi një mbrëmje të jashtëzakonshme në aspektin individual dhe riktheu Juventusin në lojë.
Por festa e Zhegrovës nuk zgjati shumë. Kur ndeshja po i afrohej fundit, në minutën e 94-t, Sassuolo përfitoi nga një vendosje e gabuar e mbrojtjes së Juventusit. Ish-lojtari i bardhezinjve, Adzic, shënoi golin e fitores, duke shpërthyer festën në “Mapei”.
Kështu, dy golat e Zhegrovës nuk mjaftuan, ndërsa Juventus u largua nga fusha me një humbje 3-2, pas një fundi dramatik dhe një paraqitjeje zhgënjyese të repartit defensiv.





