Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas tërheqjes së Bekim Sejdiut nga kandidatura për president të Kosovës, duke e falënderuar për gatishmërinë për t’i shërbyer vendit dhe mënyrën se si e përballoi procesin.
Osmani ka kritikuar mënyrën se si është zhvilluar procesi, duke deklaruar se çështjet personale shpesh janë vendosur mbi ato institucionale.
Sipas saj, Kosova humbi një mundësi për të ndërtuar konsensus rreth një kandidati që, sipas saj, përfaqësonte dije, integritet dhe dinjitet.
“Politika kalon. Fushatat mbarojnë. Zgjedhjet përsëriten. Por mënyra se si një njeri sillet kur vihet në sprovë, mbetet”, ka shkruar Osmani.
Ajo ka falënderuar Sejdiun për qëndrimin e tij gjatë gjithë procesit, duke theksuar se edhe një përpjekje politike që nuk përfundon me sukses mund të lërë pas një dëshmi të rëndësishme të karakterit.
Reagimi i Osmanit vjen në një moment kur procesi për zgjedhjen e presidentit të Kosovës vijon të shoqërohet me diskutime politike dhe përpjekje për të siguruar mbështetjen e nevojshme.





