Eksperti i sigurisë Arjan Dyrmishi e ka cilësuar Këshillin e Sigurisë Kombëtare si një organ kryesisht formal dhe simbolik, duke argumentuar se mbledhja e fundit nuk adresoi në thelb çështjen e komprometimit të informacionit të klasifikuar dhe pasojat që kjo mund të sjellë në marrëdhëniet e Shqipërisë me partnerët ndërkombëtarë.
Duke komentuar mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Dyrmishi u shpreh se ky institucion, sipas vlerësimit të tij, shërben kryesisht për të dhënë kontekst në situata të caktuara krizash.
“Mendoj që Këshilli i Sigurisë Kombëtare në përgjithësi është një organ pothuajse formal, nuk është se ka ndonjë rëndësi. Mendoj është institucion më shumë simbolik, që shërben në momente të caktuara kur ka kriza të tilla për të dhënë një lloj, si të thuash, konteksti të zhvillimeve, por nuk është se të gjithë pjesëtarët që ishin aty, që të gjithë anëtarët e Këshillit të Sigurisë, janë tashmë në pozicione të caktuara dhe i kryejnë ato, domethënë qoftë Ministria e Brendshme, qoftë Ministria e Drejtësisë apo Ministria e Jashtme”, tha ai.
Sipas Dyrmishit, një veçanti e kësaj mbledhjeje ishte përfshirja së bashku e institucioneve të drejtësisë në këtë format, për të cilën ai shprehu pikëpyetje.
“E vetmja gjë e veçantë mund të jetë këtu, në këtë rast është vendosja së bashku e institucioneve të drejtësisë në Këshillin e Sigurisë. Po të them të drejtën nuk e di se sa e drejtë do të ishte kjo pjesëmarrje e tyre, e institucioneve të sigurisë në këtë formatin e sotshëm”, u shpreh Dyrmishi.
Ai argumentoi se, pavarësisht mbledhjes, nuk u bë një adresim i asaj që ai e konsideron si problematikën kryesore që po zhvillohet gjatë këtyre ditëve.
“Po ashtu siç rezultoi dhe nga deklarata, nuk është se mbledhja e sotme, si të thuash, shënoi ndonjë gjë të rëndësishme përsa i përket problematikës që po evoluon në këto ditë. Po, pothuajse ishte e njëjta gjë, u mblodhën, theksuan këtë problemin dhe kaq”, tha ai.
Dyrmishi theksoi se, sipas tij, nuk u adresua në mënyrë thelbësore verifikimi i shkallës së komprometimit të informacionit në shërbimin informativ dhe pasojat që një situatë e tillë mund të ketë për marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë.
“Thashë nuk është se u adresua ndonjë gjë thelbësore aty përsa i përket çështjeve që kanë të bëjnë me verifikimin e shkallës së komprometimit, po themi, të informacionit në shërbimin informativ, i cili mund të ketë pasoja negative për marrëdhëniet që vendi ynë ka me partnerët e tjerë”, u shpreh eksperti.
Duke iu referuar informacionit të klasifikuar që shkëmbehet mes shteteve, Dyrmishi theksoi rëndësinë e ruajtjes së të njëjtit nivel sigurie.
“Siç dihet sipas legjislacionit, por dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, informacioni i klasifikuar kur ndahet nga një, me një vend tjetër, do të duhet që të ruhet me të njëjtën shkallë sigurie siç ruhet në vendin e origjinës”, deklaroi ai.
“Për shembull, nëse Franca apo Gjermania apo Spanja, po them, kanë ndarë informacione me institucionet tona, ato duhet të ruhen në të njëjtën shkallë sigurie siç mbrohen në vendet e origjinës. Dhe nëse këto vende shohin që këto informacione trajtohen në këtë mënyrë, ashtu siç po e shohim ne deri tani nga hetimet, sigurisht që ky është një problem i rëndësishëm”, përfundoi Dyrmishi.





