Policia e Vlorës ka shpallur në kërkim tre persona të dyshuar si autorë të konfliktit tragjik të një dite më parë, ku humbi jetën 63-vjeçari Ismail Aliaj.
Sipas njoftimit zyrtar, në kërkim janë shpallur Anxhelo Ceci, 31 vjeç, Xhafer Ngucaj, 34 vjeç, të dy banues në Vlorë, si dhe Eni Hysaj, 23 vjeç, banues në Gjorëm.
Nga veprimet e para hetimore rezulton se më 3 prill 2026, rreth orës 15:00, në rrugën “Gjergj Arianiti”, në lagjen “Pavarësia 3”, tre të rinjtë janë përfshirë në një konflikt për motive të dobëta me shtetasin B. Aliaj, 24 vjeç, dhe babanë e tij, Ismail Aliaj. Gjatë përplasjes fizike, 63-vjeçari është goditur me grushte, duke humbur jetën si pasojë e dëmtimeve.
Burime policore bëjnë me dije se ngjarja lidhet me një konflikt të mëparshëm mes djalit të viktimës dhe njërit prej autorëve. Babë e bir kishin shkuar për të sqaruar situatën, por debati verbal ka degjeneruar në dhunë, pasi në përleshje janë përfshirë edhe dy persona të tjerë.
Në momentin e ngjarjes, një nga të dyshuarit ndodhej në automjet me familjen e tij, pasi sapo kishte marrë djalin nga spitali. Megjithatë, situata ka dalë jashtë kontrollit, duke përfunduar në një përplasje fatale me grushte dhe shkelma.
Policia vijon kontrollet intensive për kapjen e autorëve dhe po punon për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje të rëndë.






