Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nga foltorja e selisë blu ka rrëfyer detaje nga vizita e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku mori pjesë në Konventën Republikane të zgjedhjeve të mesmandatit si pjesë e delegacionit të IDU.
Berisha tha se gjatë vizitës shoqërohej nga kryetari i PR, sekretari për marrëdhëniet ndërkombëtare, sekretari organizativ, nënkryetari i partisë dhe kryetarja e LDG-së. Ai e cilësoi konventën si “më të bukurën” të organizuar në SHBA, duke vlerësuar organizimin elektoral të dy partive të mëdha amerikane.
Duke bërë një krahasim me vizitën e tij të parë në SHBA, rreth 35 vite më parë, Berisha tha se edhe udhëtimi i fundit kishte disa ngjashmëri me atë periudhë.
“Së pari, në udhëtimin tim të parë dhe në këtë udhëtim unë shkoja në SHBA si kryetar i opozitës apo partisë më të madhe opozitare. Kjo është e vërteta.”
Sipas Berishës, një tjetër ngjashmëri lidhet me qëllimin e vizitave.
“Së dyti, në atë udhëtim dhe në këtë udhëtim, unë shkova me një qëllim kryesor: të kërkoj mbështetjen e administratës së SHBA dhe të diasporës tonë, atëherë për përmbysjen e diktaturës totalitare komuniste, kësaj here të diktaturës autoritare të bazuar në drogën, krimin dhe vjedhjen e shqiptarëve.”
“Edi Rama u tmerrua”
Berisha foli edhe për reagimet politike ndaj vizitës së tij, duke pretenduar se ndaj tij dhe delegacionit të opozitës pati sulme të shumta.
Ai solli në vëmendje edhe vizitën e parë në SHBA, kur sipas tij udhëtimi me Gramoz Pashkon për ceremoninë e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA-së u shoqërua me akuza.
“Ata lëshuan ndaj meje dhe Gramoz Pashkos të gjitha epitetet e tradhtisë, agjenturës, etj, etj, por kësaj radhe nuk ishin më të pakëta.”
Më pas, Berisha bëri një deklaratë të drejtpërdrejtë ndaj kryeministrit Edi Rama.
“Edi Rama u tmerrua.”
Ai pretendoi se Rama reagoi përmes njerëzve të tij dhe tha se kjo pjesë do të jetë subjekt i një vepre satirike.
“Atij iu shndërruan sarajet e Surrelit në një bunker terrorizues dhe non-stop lëshonte porosi tek puthadorët e tij, por unë nuk do ndalem në këtë kapitull sepse kjo do të jetë subjekti i një vepre satirike që kanë filluar ta shkruajnë.”
Berisha: “Gjithçka ka qenë në interesin e çdo shqiptari”
Kryedemokrati tha se ndiente detyrim të informonte shqiptarët për takimet e zhvilluara në SHBA, për pjesëmarrjen në konventë, si dhe për takimet me zyrtarë të lartë të Kongresit amerikan dhe administratës së presidentit Donald Trump.
Ai tha se opozita kishte synuar t’u paraqiste përfaqësuesve amerikanë pikëpamjet e saj për situatën në Shqipëri.
“Garantoj shqiptarët se në takimet tona, nuk ka pasur asgjë personale. Gjithçka ka qenë në interesin e çdo shqiptari që dëshiron të jetojë i lirë dhe me dinjitet në këtë vend, që dëshiron të zgjedhë njerëzit që do për përfaqësim, që dëshiron që Kushtetuta të mbizotërojë dhe shteti ligjor të mos jetë i zëvendësuar nga shteti i mafies.”
Sipas Berishës, një nga temat kryesore të bisedimeve me kongresmenë, senatorë dhe zyrtarë të administratës amerikane ishte ajo që ai e cilëson si “narkoshtet” dhe pasojat që, sipas tij, ka mbi ekonominë, rendin kushtetues dhe shtetin ligjor në Shqipëri.
“Kështu që në epiqendër të të gjitha bisedimeve tona në takime të veçanta me kongresmenë, me senatorë, me zyrtarë të lartë të administratës së presidentit Trump kanë qenë së pari narkoshteti dhe pasojat shkatërrimtare të tij mbi ekonominë, qenien, rendin kushtetues, shtetin ligjor në Shqipëri.”
Berisha përmendi gjithashtu atë që e cilësoi si “shokun e tmerrshëm demografik” të këtyre zhvillimeve ndaj shqiptarëve.
Akuzat për lidhje me kartelet e drogës
Në vijim të fjalës së tij, kreu i PD-së tha se gjatë takimeve në SHBA kishte paraqitur pikëpamjet e opozitës mbi mënyrën se si, sipas tij, Shqipëria është transformuar në një “narkoshtet”.
Berisha pretendoi se ekzistojnë lidhje mes Edi Ramës, zyrtarëve të tjerë dhe familjarëve të tij me grupe kriminale dhe kartele ndërkombëtare të drogës.
“Ne u ndalëm me miqtë tanë në historikun e transformimit të Shqipërisë në narkoshtet si një politikë zyrtare e Edi Ramës.”
Ai përmendi emra të disa karteleve dhe vendeve, duke ngritur akuza edhe ndaj kryeministrit, vëllait të tij dhe zyrtarëve të tjerë.
“Pra, në qoftë se me përkufizimin e narkoshtetit, angazhimi i elitës politike me trafiqet dhe drogën është një nga kushtet në Shqipëri është i implikuar direkt kryeministri, vëllai i tij, zyrtarë të tjerë dhe kjo me fakte dhe prova të pakundërshtueshme.”
Këto deklarata janë pjesë e akuzave politike të ngritura nga Berisha ndaj qeverisë dhe kryeministrit Rama.





