Evi Kokalari ka shpallur kandidaturën e saj për të garuar në zgjedhjet e 23 majit për kreun e Partisë Demokratike, duke vendosur përballë Sali Berishës. Aktivistja ka bërë të ditur se kërkesa zyrtare për pjesëmarrjen në garë do t’i dorëzohet Berishës nga avokatë amerikanë, duke nënvizuar se synon të zhvillojë debate televizive në stil amerikan, ku pyetjet do të jenë profesionale dhe të drejtpërdrejta.
Kokalari kritikoi fort drejtimin e PD-së nën Sali Berishën, duke e cilësuar partinë si të zhytur “në llum dhe moçal” dhe premtoi se në rast fitoreje do të përpiqet ta nxjerrë forcën politike nga kriza. Ajo akuzoi Berishën për blerje të shërbimeve të lobistëve, duke përmendur konsulentin e Donald Trump, Chriss LaCivita, dhe për manipulime zgjedhjesh, vjedhje vote dhe emërime pa meritë brenda partisë.
Në një deklaratë të gjatë, Kokalari nënvizoi përvojën e saj në politikën amerikane dhe faktin se lufta për integritetin dhe meritokracinë në PD ka qenë një nga qëllimet e saj kryesore:
“Maj–Gusht 2022, lufta ime publike u bë pikërisht për të mbrojtur votën e demokratëve të Rithemelimit, që u vodh haptazi, bashkë me meritokracinë që Berisha ua premtoi. Sali Berisha nuk e mbajti fjalën. Unë po – edhe pse e dija që do të më kundërshtonin, sërish fola dhe bëra luftë e vetme.”
Kandidatja paralajmëroi gjithashtu për pastrime politike dhe hetime të mundshme që lidhen me favore të dhëna nga kryeministri Edi Rama, duke përmendur ishullin e Sazanit dhe marrëdhënie me Jared Kushner dhe Ivanka Trump, duke premtuar se në SHBA do të ketë një hetim të thelluar mbi këtë çështje.
Evi Kokalari pohoi se nuk do të japë intervista në Shqipëri deri në momentin e kualifikimit të saj, duke theksuar se fokusi i saj është pjesëmarrja zyrtare në garë dhe debatet televizive me Berishën, në mënyrë transparente dhe profesionale, në stilin amerikan. Ajo shprehu bindjen se integriteti, karakteri dhe patriotizmi matet me veprime dhe jo me fjalë, duke akuzuar disa elementë të PD-së për manipulime dhe mungesë transparence në proceset zgjedhore.
Kjo kandidaturë vendos Evi Kokalarin në qendër të vëmendjes së debatit politik shqiptar, duke hapur një sfidë të hapur ndaj figurës historike të partisë, Sali Berishës, dhe duke rikthyer në fokus çështjet e transparencës, meritokracisë dhe influencës ndërkombëtare në politikën shqiptare.






