24.9 C
Tiranë
Friday, August 21, 2026

“Flasim në fakt si dy pilotë të një makine që duhet të vijojë vetëzhvillimin”,Rama uron në rrjetet sociale Fatos Nanon për festën e ditëlindjes

Kryeministri Edi Rama ka uruar në rrjetet sociale Fatos Nanon për festën e ditëlindjes.

Lideri historik i së majtës feston sot 71-vjetorin e lindjes në kushte jo të favorshme. Ai u shtrua pak javë më parë në një spital privat për shka të sëmundjeve në mushkëri.

Rama shkruan në rrjete sociale për Nanon edhe duke kujtuar marrëdhënien e tyre ndër vite.

Për Ramën, Nano diti ta shkëpuste partinë nga e kaluara e PPSH-së dhe ta fuste në një rrugë evropiane.

Rama flet edhe për ardhjen e tij në PS, falë Fatos Nanos dhe marrjen e pushtetit brenda partisë duke aneksuar liderin historik.

Postimi:
#EDHE100🌹
FATOS NANO u gjend në krye kur armata e shpartalluar komuniste kryente funeralin e Partisë së Punës në mes të shkretëtirës, me flamurin e rreckosur të diktaturës së proletariatit në gjysëm shtizë, moralin nën shuajt e këpucëve të rraskapitura nga marshimi 45 vjeçar drejt horizontit që vetëm largohej derisa u zhduk dhe gurmazin e konsumuar të komunizmit që nxirrte thirrjet e fundit për luftë me tërë botën, teksa era e papërmbajtshme e ndryshimit e kthente vajtimin e egër të dëshpërimit, në një fishkëllimë sa çjerrëse aq edhe qesharake. Mes fytyrave verdhacuke të udhëheqësve gjemimbytur nga ardhmja e qametit dhe sekretarëve lëkurërreshkur nga dielli i arafabrikakantiereve, “Qorri” ishte aty fytyra e dykuptimtë e kuadrit të ri të partisë, që punonte në Institutin e Marksizëm-Leninizmit dhe e presorit garip të Ekonomikut, që tregonte barcaleta tallëse për regjimin e luante Bitëllsat me kitarën e tij.
Ishte pikërisht profili joskematik i Fatos Nanos që i dha atij skeptrin e të majtës së porsalindur pas varrimit të Partisë së Punës dhe natyra e tij jodogmatike, e kombinuar me burgosjen absurde që e pagëzoi si lider të pakonkurueshëm të socialistëve, i dha Partisë Socialiste një frymëmarrje të re e një perspektivë si forcë e parë në rrugën e përpjetë të politikës shqiptare. Mbase pa sakrificën e tij të imponuar, socialistët do të kishin pasur një fat më pak bujar, por edhe Fatosi pa atë sakrificë të imponuar, mbase nuk do ishte bërë lideri i tyre aq jetëgjatë. Fotoja që kam përzgjedhur për këtë ditë urimi ka qenë për mua pamja më domethënëse e Fatos Nanos fill pas daljes së tij nga burgu dhe ende sot befasohem nga ndryshimi i hatashëm mes saj e pamjes së tij në gjyq. Fatosi i prangosur para gjykatësve me vështrimin enigmatik, është presori i Ekonomikut i marrë peng që mbahet fort për sytë e popullit. Ndërsa Fatosi me duart e lira dhe sytë që shkëlqejnë fort është një kafshë e rrallë politike, të cilën pata fatin ta njoh nga afër.
Ai e mbajti timonin e PS në të përpjeta e të tatëpjeta dhe padiskutim është e tija në radhën më të parë, merita që Partia Socialiste nuk lëvizi asnjë moment, nga graviteti i interesit kombëtar, çka përbën sot e gjithë ditën një vijë sjelljeje të palëkundur të PS e unikale mes partive politike në Shqipëri. Në krye të PS ai i nxorri socialistët nga shkretëtira pas varrosjes së Partisë së Punës, duke i futur në Internacionalen Socialiste si një familje idesh progresiste të kohës së re dhe duke e bërë shpirtin e ndryshimit motor të lëvizjes përpara. Në krye të qeverisë atij iu desh të drejtonte daljen e popullit nga shkretëtira e piramidave dhe rifillimin e shtetndërtimit nga zeroja pas katrahurës rrafshuese të vitit ’97.
Historia e marrëdhënies sonë të zhvilluar mes ekstremesh, nga “birësimi” im në familjen socialiste me bekimin e Fatosit, deri tek “vrasja e babait” për marrjen e skeptrit të tij, dihet përgjithësisht. Po në ndërkohën që flasim marrëdhënia mes nesh ushqehet shëndetshëm, me një komunikim miqësor ku e kuptojmë njëri-tjetrin në ajër, sepse prej kohësh tanimë flasim si shoferi i turnit të parë me shoferin e turnit të dytë, për të njëjtën makinë. Ose jo në fakt, se kur mendoj çfarë katërrrotaku sovjetik mori Fatosi në turnin e parë, çfarë mjeti shumë më të mirë mora unë prej tij dhe çfarë brandi shpejtësie është sot Partia Socialiste, flasim në fakt si dy pilotë të një makine që duhet të vijojë vetëzhvillimin dhe lëvizë ende më shpejt, duke e mundur përditë rrezikun e ngadalësimit nga konkurenca e dobët.
Duke i uruar ditëlindjen liderit historik të socialistëve, uroj gjithashtu që një ditë ta shkruajmë në një libër, së bashku, raportin e turneve tonave, për t’ua lënë në bibliotekën e zyrës së kryetarit, atyre që do të marrin turnin pas nesh. Po ka kohë plot deri atëherë dhe në ndërkohë, uroj për Fatosin shëndet, gëzime e çdo të mirë familjarisht.
#TëRRALLË
*shtator 2020

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT

Sulm brutal ndaj katër punëtorëve nga Kosova në Itali, njëri në gjendje të rëndë

0
Katër punëtorë nga Kosova janë sulmuar brutalisht nga disa persona në Trieste të Italisë, të cilët dyshohet se ishin të armatosur me thika, çekiçë...

Publikohet emri i shqiptarit që i dha fund jetës në burgun e Spanjës

0
Është bërë publik emri i shqiptarit që dy ditë më parë i dha fund jetës në një burg të Spanjës. Bëhet fjalë për Jurgen...

Gaza mbetet vendi më vdekjeprurës për punëtorët humanitarë: 186 të vrarë në 2025

0
Gaza ishte sërish vendi më vdekjeprurës në botë për punëtorët humanitarë, për të tretin vit radhazi, me 186 persona të vrarë gjatë vitit 2025,...

I shpallur i pafajshëm për shkak të sëmundjes mendore, i akuzuari për vrasje largohet...

0
Një shtetas taxhik, i shpallur i pafajshëm për shkak të sëmundjes mendore në një çështje vrasjeje, është larguar nga Shtetet e Bashkuara pasi kishte...

“Kam humbur besimin tek ju”/ Nënkryetari i FIFA-s shpërthen ndaj Infantinos: “Lidershipi juaj është...

0
Presidenti i Federatës Hungareze të Futbollit dhe nënkryetari i FIFA-s, Sándor Csányi, ka kritikuar ashpër presidentin e organizatës, Gianni Infantino, duke vënë në pikëpyetje...