Katër punëtorë nga Kosova janë sulmuar brutalisht nga disa persona në Trieste të Italisë, të cilët dyshohet se ishin të armatosur me thika, çekiçë dhe spraj me piper.
Ngjarja ka ndodhur pas një ndjekjeje me makina. Automjeti me të cilin udhëtonin katër punëtorët është ndjekur nga një tjetër automjet dhe më pas është përplasur, duke i detyruar ata të ndalonin.
Sapo kanë dalë nga makina, punëtorët janë sulmuar nga autorët me mjete të ndryshme. Si pasojë, të katër kanë mbetur të plagosur, ndërsa njëri prej tyre raportohet se ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Në vendngjarje mbërritën disa ambulanca dhe ekipet e urgjencës, të mbështetura nga patrullat e Policisë së Shtetit italian. Të plagosurit u transportuan për trajtim mjekësor në spitalin e Cattinaras.
Shkaqet e sulmit mbeten ende të paqarta. Hetuesit dyshojnë se ngjarja mund të ketë lidhje me disa kontrata ndërtimi.
Policia italiane ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve. Sipas informacioneve paraprake, në sulm dyshohet se kanë marrë pjesë rreth pesë persona, të cilët ende nuk janë identifikuar.





