Gaza ishte sërish vendi më vdekjeprurës në botë për punëtorët humanitarë, për të tretin vit radhazi, me 186 persona të vrarë gjatë vitit 2025, bëri të ditur Zyra e Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA).
Sipas të dhënave të publikuara në kuadër të Ditës Botërore Humanitare, Sudani renditet i dyti, me 71 punonjës të ndihmave të vrarë gjatë të njëjtit vit.
Në nivel global, 907 punëtorë humanitarë u vranë, u plagosën ose u rrëmbyen gjatë vitit 2025, duke shënuar një tjetër rekord të dhunës ndaj personelit të ndihmave, sipas të dhënave nga Baza e të Dhënave të Sigurisë së Punëtorëve të Ndihmës Humanitare.
Megjithëse numri vjetor i viktimave ra lehtë, në 350 të vrarë, OCHA theksoi se niveli i përgjithshëm i dhunës ndaj punonjësve humanitarë nuk ka treguar shenja përmirësimi. Përveç të vrarëve, 322 punonjës të tjerë u plagosën, ndërsa 235 u rrëmbyen.
“Më shumë se 1.000 punonjës të ndihmave janë vrarë në vetëm tre vjet dhe kjo është krejtësisht e papranueshme”, deklaroi Tom Fletcher, nënsekretari i përgjithshëm i OKB-së për çështjet humanitare dhe koordinatori i ndihmës emergjente.
Fletcher bëri thirrje që shtetet të respektojnë ligjin ndërkombëtar humanitar dhe të ndërmarrin masa konkrete për mbrojtjen e civilëve dhe punonjësve humanitarë.
“Por vetëm thirrja nuk do të mbrojë punonjësin e ardhshëm të ndihmës. Shtetet duhet të respektojnë ligjin ndërkombëtar humanitar dhe të përdorin çdo mjet për të mbrojtur civilët dhe kolegët tanë. Dhe për ata që shkelin rregullat, duhet të ketë pasoja reale”, tha ai.
Dhuna ndaj punonjësve të ndihmave ka vijuar edhe gjatë vitit 2026. Sipas OCHA-s, deri më tani të paktën 82 punonjës humanitarë janë vrarë, 97 janë plagosur dhe 39 janë rrëmbyer në mbarë botën.





