Një automjet tip fuoristradë, i cili rezulton i vjedhur, është gjetur i djegur brenda një tuneli të vjetër ushtarak në zonën e Cërkovinës.
Ngjarja është konstatuar mbrëmjen e djeshme, rreth orës 23:00, në një rrugë të paasfaltuar që lidh Cërkovinën me fshatrat përreth.
Pas marrjes së njoftimit, forcat zjarrfikëse kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve. Ndërkohë, grupi hetimor ka nisur punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Policia po heton edhe pistën nëse automjeti mund të jetë përdorur për veprimtari të paligjshme, duke marrë në konsideratë faktin se fuoristrada ishte brenda një tuneli të izoluar dhe në një zonë të aksesueshme përmes një rruge të paasfaltuar.
Në kuadër të hetimeve, Policia ka marrë pamjet e kamerave të sigurisë në zonë, me qëllim identifikimin e personave që dyshohet se e kanë lënë automjetin brenda tunelit.
Ndërkohë, si pasojë e djegies së automjetit, flakët kanë përfshirë edhe një sipërfaqe me bimësi pranë tunelit.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar rrethanat e plota të ngjarjes dhe nëse automjeti i vjedhur është përdorur për ndonjë aktivitet kriminal përpara se të braktisej dhe të digjej.





