Një ngjarje tragjike është regjistruar këtë të shtunë në fshatin Poroçan, pjesë e bashkisë Gramsh, ku dy punëtorë humbën jetën pas shembjes së një masivi dheu në afërsi të një hidrocentrali në ndërtim.
Abas Basha dhe Egzon Lleshi ishin duke punuar në një kanal, kur struktura pësoi çarje, duke shkaktuar një rrëshqitje masive të dheut, e cila i zuri për poshtë. Fatkeqësisht, ndihma e parë u bë e pamundur për shkak të vështirësive në terren dhe mungesës së aksesit të mjeteve në zonën ku ndodhi aksidenti.
Sipas autoriteteve, ekipet e emergjencës dhe zjarrfikësit ndodhen në vendin e ngjarjes dhe kanë bërë të mundur nxjerrjen e trupave, ndërsa ekipi mjekësor ka konfirmuar vdekjen e dy punëtorëve sapo ka mbërritur në vendngjarje.
Burime të tjera bëjnë me dije se ka dhe të plagosur të tjerë, pasi në vendin e punës ndodheshin disa persona në momentin e shembjes.
Grupi hetimor po punon për të zbardhur shkaqet dhe për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje të rëndë.