2.5 C
Tiranë
Tuesday, November 26, 2024
spot_img

“Ka 9 vite që Shqipëria rri në vend numëro”/ Berisha: “Me mua në krye PD fiton”

Ish kryeministri Sali Berisha ka konfirmuar sot nga Tepelena se do të garojë në zgjedhjet për kreun e PD-së, duke shprehur bindjen se me të në krye kjo forcë politike do ti fitojë zgjedhjet.

Duke iu përgjigjur interesimit të demokratëve të asaj dege nëse problemet me SHBA-në e pamundësojnë fitoren përballë Edi Ramës, Berisha tha se në të njëjtën pozitë ishte edhe në vitin 1998, por shtatë vjet më vonë erdhi sërish në pushtet.

“Pse u godit Sali Berisha? Vetëm që PD-ja të bëhej shtojcë e PS-së. Por ne shtojcë nuk bëhemi. Ju më pyesni: a fiton PD-ja me Sali Berishën në krye? Unë them fiton. Në 1998 kam pasur botën kundër dhe kemi fituar. Fituam sepse besuam te e drejta. Unë për një kauzë të drejtë luftoj deri në fund. Unë jam i bindur se do fitojmë”, tha Berisha.

Ai u shpreh gjithashtu se nëse PD-ja nën drejtimin e tij do të humbasë zgjedhjet e ardhshme lokale, do të dalë sërish në bazë për të kërkuar votëbesimin e anëtarësisë dhe do të largohet nga drejtimi i partisë nëse humbjet zgjedhjet e përgjithshme.

“Kushdo që të vijë të garojë me mua është i mirëpritur. Nëse nuk fitoj, e respektoj. Nëse në zgjedhjet lokale humbas, do vij të votohem te ju. Po humba zgjedhjet e përgjithshme, largohem dhe jap dorëheqjen”, tha më tej Berisha.

Berisha tha se Rama pengoi procesin e integrimit gjatë qeverisjes së tij, ndërsa sot nuk ka asnjë fakt e provë se u pengua nga demokratët.

“Në vitin ‘97 kur dorëzuam pushtetin në 97, Shqipëria ishte i vetmi vend në rajon në librin e bardhë të Komisionit Europian që ishte përzgjedhur për t’u konsideruar për statusin e kandidatit dhe hapjen e negociatave. Bënë fillimisht një gjë, e inkuadruan me republikat e ish-Jugosllavisë, shkova në Komision, u thashë se kjo është anti-historike prandaj mos e bëni këtë, e hoqën, e kuptuan që ishte gabim dhe e keni librin e bardhë të botuar prej tyre. Në vitin 2009-2013 PD eci e vendosur, pandalshëm në procesin e integrimit. U anëtarësua në NATO, u vendos stabilizim-asociimi, u liberalizuan vizat dhe u mor rekomandimi i KE, por që u bllokua nga Edi Rama me këshilltarët e Fierit.

Ka 9 vite që Shqipëria rri në vend numëro. Por përsëri, dorëzimi i pushtetit nga unë ishte detyrë më kryesore, nuk mund të mendoja unë të mos dorëzoja pushtetin kur të humbisja zgjedhjet. Humba zgjedhjet, dorëzova pushtetin, u largova nga drejtimi i PD-së. Ai që është sot në pushtet nuk mund të tregojë një fakt apo një të dhënë të vetme se u pengua nga demokratët apo nga Sali Berisha në procesin e integrimit. Ai zgjodhi rrugën e krimit, zgjodhi rrugën e korrupsionit, zgjodhi rrugën që e la Shqipërinë faktikisht, jashtë BE-së. Dalim tek Konica, atë që i kanë bërë shqiptarët Shqipërisë, nuk ia kanë bërë të tjerët”, tha ai.

Artikuj të Tjera

Komento

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

POSTIMET E FUNDIT