Një histori e jashtëzakonshme mbijetese ka prekur mbarë Venezuelën. Fabiana, një vajzë 12-vjeçare nga qyteti bregdetar Caraballeda, u nxor e gjallë pas 32 orësh nën rrënojat e pallatit ku jetonte, i shembur nga tërmeti me magnitudë 7.5 që goditi vendin më 24 qershor.
Në momentin kur nisën lëkundjet e forta, nëna e saj, Karina Blanco, ndodhej në një palestër duke zhvilluar një orë spinningu. Sapo kuptoi përmasat e tërmetit, ajo u nis me shpejtësi drejt banesës.
“Kur mbërrita, nuk mund ta besoja atë që pashë. Pashë një pallat, pastaj një boshllëk aty ku kishte qenë pallati ynë dhe më pas një tjetër pallat. Mendova se vajza ime kishte humbur jetën,” rrëfen Karina.
Në ato çaste, Fabiana ndodhej vetëm në apartament. Ajo u përpoq të strehohej në kuzhinë, por muret u shembën duke e zënë poshtë rrënojave.
“Pashë gjithçka që dridhej dhe binte. Kur muret u çanë mendova se do të vdisja. I thashë vetes se askush nuk do të vinte të më shpëtonte,” kujton 12-vjeçarja.
E bllokuar mes betonit, me tavanin vetëm pak centimetra larg fytyrës, Fabiana arriti të ruante qetësinë, edhe pse vuante nga ankthi dhe klaustrofobia.
Pas disa orësh, një infermiere e bllokuar në të njëjtin pallat dëgjoi zërin e saj dhe e nxiti të mos humbiste shpresën. Pasi u shpëtua rreth gjashtë orë më vonë, ajo informoi ekipet e kërkim-shpëtimit se një vajzë e quajtur Fabiana ishte ende gjallë.
Për Karinën, ky ishte momenti që i riktheu shpresën.
“Në atë çast më thanë: ‘Vajza jote është gjallë’. Ishte momenti më i madh i jetës sime,” tregon ajo.
Nën rrënoja, Fabiana gjeti telefonin e saj, por mungesa e sinjalit nuk e lejoi të kërkonte ndihmë. Megjithatë, ajo regjistroi një video ku tregonte se ishte e bllokuar dhe se edhe fqinjë të tjerë ndodheshin në të njëjtën situatë.
Gjatë pritjes së gjatë, ajo arriti të lëvizte disa copa betoni për të liruar njërën këmbë që i ishte bllokuar. Rastësisht gjeti edhe një shishe ketchup dhe pak djathë të grirë, të cilat i konsumoi për të mbajtur energjitë.
“Ato më ndihmuan të qëndroja e vetëdijshme,” tha ajo.
Shpresa u bë realitet kur një vullnetar i quajtur Viktor dëgjoi zërin e saj mes rrënojave dhe njoftoi menjëherë ekipet e shpëtimit. Pas disa përpjekjesh të pasuksesshme, zjarrfikës nga Karakasi arritën të hapnin një tunel deri te vendi ku ndodhej vajza.
Pas plot 32 orësh, Fabiana u nxor e gjallë dhe u përqafua me nënën e saj në një skenë emocionuese që u bë virale në rrjetet sociale.
“Kur dola dhe pashë familjen time e gjithë ndërtesën të shembur, më dukej sikur nuk ishte reale, sikur po shikoja një serial televiziv,” rrëfen ajo.
Nga rreth 50 banorë që jetonin në pallatin ku banonte familja, vetëm tre persona arritën të shpëtonin të gjallë.
Sipas autoriteteve venezueliane, bilanci i tërmetit është tragjik. Deri më tani janë konfirmuar 3.342 viktima, ndërsa dhjetëra mijëra persona rezultojnë ende të zhdukur.
Mrekullisht, Fabiana ka pësuar vetëm një frakturë në këmbën e majtë dhe disa plagë të lehta. Ajo po rikuperohet në shtëpinë e gjyshes, ndërsa familja përpiqet të kapërcejë traumën e përjetuar.
“Do të na duhet kohë të shërohemi. Kam humbur fqinjë dhe miq. Por gjëja më e rëndësishme është që vajza ime është gjallë,” përfundon Karina.





