Pamjet e kamerave të sigurisë kanë hedhur dritë mbi shpërthimin e ndodhur pas mesnate në banesën e deputetit demokrat Xhelal Mziu, në Kamëz. Autori i dyshuar është fiksuar teksa mbërrin me një biçikletë, ndalon para murit rrethues të banesës dhe vendos lëndën plasëse, e cila më pas shkaktoi një shpërthim të fuqishëm.
Nga pamjet duket se ai ka vepruar i vetëm dhe është larguar menjëherë me biçikletë. Rruga e tij është ndjekur nga kamerat deri pranë Institutit Bujqësor, ku më pas i humbasin gjurmët. I dyshuari ishte i veshur me rroba të errëta dhe mbante një kapuç në kokë, duke e bërë më të vështirë identifikimin.
Ndërkohë, deputeti Xhelal Mziu është marrë sërish në pyetje nga grupi hetimor. Ai ka deklaruar se nuk ka konflikte personale apo politike që mund të lidhen me sulmin, duke lënë hapur pistën e hetimit për autorin e shpërthimit.
Ngjarja ka shkaktuar vetëm dëme materiale, por ka tronditur zonën dhe opinionin publik, ndërsa policia vijon punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.






