Një 65-vjeçar, Xhevair Cake, është arrestuar në qytetin e Pogradecit pas një operacioni policor të suksesshëm. Në banesën e tij, policia gjeti një arsenal armësh dhe municionesh të rrezikshme.
Sipas burimeve paraprake, gjatë kontrollit në banesë u sekuestrua një armë zjarri tip kallashnikov, municione të tjera, si dhe fitila të dyshuar si fitila granate dhe sasi tritoli.
Forcat e shumta policore kanë mbërritur në vendngjarje për të kryer hetimet e mëtejshme dhe për të përcaktuar origjinën dhe qëllimin e përdorimit të armatimit të gjetur.
I arrestuari është shoqëruar në komisariatin e Pogradecit, ndërsa autoritetet kanë nisur procedurat ligjore për të hedhur dritë mbi këtë rast.






