Rajoni i Kersonit me rreth 1 milion banorët e tij do të jenë rusë përgjithmonë, u mburr në fund të shtatorit, despoti i Kremlinit, Vladimir Putini.
Realiteti është ndryshe! Njësitë ushtarake të keqpajisura të luftëdashësit janë në tërheqje, ndërsa ushtria ukrainase po përparon dhe po rimerr gjithmonë e më shumë territore.
Ndërsa propaganda ruse po përpiqet që të zbukurojë thashethemet e mëdha për Putinin, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka thënë se tani më shumë se 40 qytete dhe fshatra janë çliruar.
“Numri i flamujve ukrainas që kthehen në vendin e tyre të merituar si pjesë e operacionit të mbrojtjes vazhdon të rritet me dhjetëra,” tha ai në një video-mesazh.
“Kam dëgjuar shpresh vlerësime se pastrimi i Ukrainës nga minat ruse do të marrë dekada”. Sipas një përllogaritje nga ana e tij, rreth 170 mijë kilometra katrorë të vendit janë të mbushura me mina.
Zelensky vuri në dukje se arritjet aktuale të forcave të armatosura të Ukrainës u arritën pas muajsh të tëra me luftime brutale. “Nuk është armiku ai që po largohet, janë ukrainasit që po largojnë pushtuesit,” tha Zelensky.
“Dhe ne duhet të luftojmë jo vetëm në fushën e betejës, por edhe me diplomaci, në mënyrë që flamujt tanë- flamujt ukrainas- të shtrihen në të gjithë vendin, përgjatë gjithë kufirit tonë të njohur ndërkombëtarisht. Jo më tringjyrësh armik”.
Sipas raportimeve në media, trupat ruse e kanë shkatërruar qytetin jugor të Kerson gjatë tërheqjes. Përveç qendrës televizive, në erë u hodhën edhe sistemet e ngrohjes qendrore dhe kullat e transmetimeve.
Përveç kësaj, energjia elektrike në qytet mungon plotësisht, ashtu si dhe interneti. Disa ura mbi Dnipro janë hedhur në erë ditët e fundit.
Rajoni i Kersonit ka qenë objektiv i një kundërsulmi gjithëpërfshirës ukrainas për javë të tëra. Për Moskën, rajoni ka një rëndësi të madhe strategjike në mënyrë që të jetë në gjendje të vazhdojë ofensivën drejt Mikolaivit dhe portit të Odesës në Detin e Zi.
Përveç kësaj, Kersoni është edhe vendi ku ndodhet diga Kakhovka, e cila furnizon me ujë gadishullin e Krimesë, të aneksuar nga Rusia.