Prokuroria nis hetimet ndaj F.D. për goditjen e një shtetaseje në ambientet e një bar-kafeje në qendër të qytetit
KORÇË – Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Korçë ka regjistruar procedimin penal nr. 690 të vitit 2025 ndaj një shtetaseje të mitur me inicialet F. D., e dyshuar për veprën penale “Plagosje e lehtë me dashje”, parashikuar nga neni 89 i Kodit Penal.
Ngjarja ka ndodhur më datë 5 maj 2025, rreth orës 19:15, në ambientet e lokalit Bar Kafe “Find Four”, në lagjen nr. 2, në Bulevardin “Republika”.
Goditje pa shkëmbim komunikimi
Sipas njoftimit zyrtar, pas marrjes së informacionit për ngjarjen, grupi hetimor është dërguar menjëherë në vendngjarje, ku janë marrë dëshmitë e personave të pranishëm. Nga hetimet paraprake ka rezultuar se, në katin e tretë të lokalit, e mitura F.D. ka goditur papritur dhe pa asnjë shkëmbim verbal shtetasen P. M., duke i shkaktuar lëndime në fytyrë dhe në pjesën e gjoksit.
Lëndimet e konstatuara janë klasifikuar si plagosje e lehtë, ndërsa motivet e ngjarjes janë ende në hetim.
Viktima nën hetim në një çështje tjetër
Burime nga organet hetimore konfirmojnë se P. M., viktima e këtij incidenti, është vetë subjekt i një tjetër procedimi penal të mëparshëm, të regjistruar më 7 shkurt 2024. Lidhja mes dy çështjeve penale është duke u analizuar nga prokuroria.






