Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) ka lënë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) për shkarkimin nga detyra të prokurorit të Elbasanit, Neritan Hoxha.
Vendimi u mor nga trupi gjykues i përbërë nga Sokol Çomo (kryesues), Natasha Mulaj (relatore), si dhe anëtaret Albana Shtylla, Mimoza Tasi dhe Rezarta Schuetz.
Hoxha ishte shkarkuar më herët nga KPK për probleme serioze në kriterin e pasurisë. Sipas konkluzioneve të Komisionit, ndaj tij u konstatuan deklarime të pasakta dhe të rreme, dyshime për fshehje të transaksioneve të pasurive, si dhe mungesë të burimeve financiare të ligjshme për justifikimin e tyre.
Pas shqyrtimit të ankesës, KPA vlerësoi se gjetjet e KPK-së ishin të drejta dhe të bazuara në prova, duke vendosur përfundimisht lënien në fuqi të shkarkimit të prokurorit Neritan Hoxha nga sistemi i drejtësisë.






