Deputeti Lefter Maliqi ka reaguar ashpër pas vendimit të Gjykatës së Lartë lidhur me çështjen e mandatit të kryebashkiakut të Kuçovës, Kreshnik Hajdari, duke akuzuar institucionet për shkelje të ligjit dhe zvarritje të qëllimshme të procesit.
Në një postim në rrjetet sociale, Maliqi thotë se Gjykata e Lartë “ka folur qartë”, duke theksuar se Hajdari duhej të ishte shkarkuar dhe të ishte përballur më herët me drejtësinë për shkak të, siç pretendon ai, dënimeve dhe kallëzimeve ndaj tij.
Sipas tij, vendimi tregon se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shkelur ligjin duke lejuar vijimin e mandatit të kryebashkiakut. Ai akuzon drejtpërdrejt kreun e KQZ-së, Ilirjan Celibashi, për shmangie të vendimmarrjes përmes procedurave të pezullimit që, sipas tij, nuk parashikohen në rastet e dekriminalizimit.
Maliqi shton se ligji për dekriminalizimin është i qartë dhe se mosdeklarimi i një dënimi penal të formës së prerë sjell automatikisht humbjen e mandatit, duke pretenduar se Hajdari ka fshehur një dënim nga gjykatat greke.






