Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 në Tiranë kanë identifikuar autorin e dyshuar të plagosjes me armë zjarri të ndodhur më 25 shtator 2026, në rrugën “Hysni Gërbolli”.
Sipas Policisë, nga verifikimet hetimore dyshohet se ngjarja ka nisur pas një konflikti në një lokal. Gjatë përplasjes, shtetasi S. P., 54 vjeç, dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri, duke plagosur në këmbë 33-vjeçarin Gj. K., dhe më pas është larguar nga vendngjarja.
54-vjeçari është shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasja e mbetur në tentativë”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Prishja e qetësisë dhe rendit publik”.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar një armë gjahu, një mjet prerës dhe municion luftarak, si prova materiale.
Ndërkohë, gjatë verifikimeve për personat e përfshirë në konflikt, Policia ka zbuluar se edhe 33-vjeçari Gj. K. ishte shpallur në kërkim nga autoritetet e Kosovës.
Ndaj tij është ekzekutuar arrestimi me qëllim ekstradimi, pasi Gjykata Themelore në Gjakovë e ka dënuar me 50 ditë burgim për veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
Hetimet kanë zbuluar gjithashtu përfshirjen e personave të tjerë në konfliktin me sende të forta.
Policia ka arrestuar në flagrancë shtetasin S. T., 20 vjeç, për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Prishja e qetësisë dhe rendit publik”. Ai dyshohet se ka dëmtuar 18-vjeçarin A. P.
Në vijim të veprimeve procedurale, ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit B. P., 49 vjeç, dhe S. P., 18 vjeç, të cilët dyshohen se kanë goditur me sende të forta 20-vjeçarin S. T.
Gjatë kontrollit në banesën e 49-vjeçarit B. P., Policia ka gjetur dhe sekuestruar edhe disa fishekë.
Materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.





