Një nga temat e fjalës së kreut të Partisë së Lirisë Ilir Meta në Konventën Kombëtare ishte dhe arsimi.
Meta tha se për ne, arsimi është prioritet i prioriteteve kombëtare dhe do të jetë prioriteti i parë sa herë diskutohet buxheti i shtetit.
“Partia e Lirisë ka një program të shkëlqyer për arsimin, sepse për shkak të Rilindjes, arsimi sot është më i braktisur, më i politizuar dhe më i rrënuar se kurrë.
Braktisja e arsimit tregohet qartazi me mbështetjen buxhetore për arsimin, e tregon mbështetja për mësuesit, pedagogët dhe për kërkimin shkencor.
Sipas Komisionit Europian, mësuesit në Shqipëri janë më të keqpaguarit në Evropë dhe rajon”, tha ai.
Meta theksoi se Shqipëria u përket të rinjve, ndaj ne nuk do të kursehemi për të financuar fuqimisht arsimin cilësor në të gjithë nivelet e tij, për t’i dhënë rinisë shqiptare aftësitë e duhura për të konkurruar në tregun e punës.
“Dy herë më shumë paguhet një mësues në Malin e Zi se në Shqipëri, ndërsa pedagogët tanë janë në një grevë legjitime, sepse ata kërkojnë që brenda dy vitesh, pagat e tyre të Jenë sa ato të Kosovës.
Prandaj, sikurse kam rritur pagat e pedagogëve kur isha Kryeministër në vitin 2000 qe ishte edhe krize ekonomike, në masën 58%, edhe sot mbështes kërkesat legjitime të tyre për rritjen e pagës.
Rilindja e di se një popull i edukuar dhe një rini e mirëarsimuar kurrë nuk nënshtrohet.
Shqipëria u përket të rinjve, ndaj ne nuk do të kursehemi për të financuar fuqimisht arsimin cilësor në të gjithë nivelet e tij, për t’i dhënë rinisë shqiptare aftësitë e duhura për
të konkurruar në tregun e punës.
Një arsim cilësor që përkthehet në treg pune profesional me paga të mirëpaguara.
Modeli i shkollës Peter Mahringer në Shkodër, i mbështetur nga Qeveria Austriake, do të jetë për ne shembulli i shkëlqyer që duhet të implementojmë për realizimin e shkollave profesionale në të gjitha qytetet kryesore të vendit”, u shpreh ai.
Meta theksoi se arsimi cilësor profesional është vendimtar për suksesin e të rinjve tanë në tregun e punës, për paga të mirëpaguara.
“Të rinjtë dhe të rejat shqiptarë kanë treguar qartë aftësitë e tyre në fushën informatike, gjë kjo krijon mundësi reale për një punësim të mirëpaguar.
Ne do të mbështesim fort arsimimin në fushat e Teknologjisë së Informacionit, që në arsimin më të hershëm, por edhe për ata që kanë një profesion aktualisht dhe kërkojnë të aftësohen.
Ne do të propozojmë Zonat e Lira Dixhitale, ku mijëra të rinj mund të zhvillojnë biznesin vetë si sipërmarrës, duke i ofruar taksa shumë të ulëta, por do të krijohen edhe mundësi të gjera punësimi.
Kjo do të zhvillonte një interesim masiv të të rinjve dhe do të krijonte një potencial ekonomik dixhital shumë atraktiv edhe në mbështetje të bizneseve të tjera të ndërsjellta.
Ne do të implementojmë në Shqipëri eksperiencat më të mira, të suksesshme të cilat janë të pranishme dhe në Ballkan, si për shembull në Kroaci”, tha Meta.