Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, shoqëruar edhe nga Drejtori i Agjencisë së Mbrojtjes Civile Haki Çako ka nisur nga Korça një tur takimesh me strukturat e Emergjencave Civile, kryetarët dhe prefektët që do të vijojë në të gjithë vendin.
Qëllimi i këtyre takimeve është sensibilizimi i njësive vendore për identifikimin e hershëm dhe eliminimi i vatrave potenciale të zjarreve për të mos lejuar degradimin e situatave veçanërisht gjatë sezonit veror.
“Ju kërkoj së pari qytetarisht mirëkuptim dhe bashkëpunim, së dyti ligjërisht. Nuk mund të vazhdojë më kështu që bie një zjarr diku, bashkia bën sikur nuk e shikon, pret sa zjarri të marrë një përmasë të qenësishme dhe pastaj i bie telefonit të marrë helikopterin. Kështu ka ndodhur deri tani. Ne do bëjmë tonën, edhe për rritjen e gatishmërisë së helikopterëve, kemi lajme shumë të mira edhe nga komisioneri i emergjencave civile, të cilit i dhamë aplikimin zyrtar për t’u bërë anëtarë të Mekanizmit Evropian. Kemi marrë sigurinë që do të na përgjigjen, sepse ndonjëherë nuk mjaftojnë as 2 helikopterë, as 5 as flota ndonjëherë kur vatrat e zjarrit janë të shpërndara në të gjithë Shqipërinë siç ishin vitin e kaluar dhe siç parashikojmë të jenë edhe këtë vit”, u shpreh para drejtuesve vendorë ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi.