Pushimet verore duket se po i shijon në maksimum, por as në një nga destinacionet më të frekuentuara të Greqisë nuk ka mundur t’u shpëtojë tifozëve shqiptarë.
Sulmuesi i Kombëtares, Myrto Uzuni, është filmuar në ishullin e njohur grek të Zakynthos, teksa shëtiste në zonën e famshme të jetës së natës në Laganas, e njohur si “The Strip”.
Në një video që po qarkullon në rrjetet sociale, Uzuni shihet duke ecur i qetë mes turmës, i veshur me një bluzë të bardhë dhe pantallona të shkurtra, i shoqëruar nga miqtë e tij.
Por prania e bomberit kuqezi nuk ka kaluar pa u vënë re. Disa të rinj shqiptarë e kanë njohur menjëherë dhe kanë nisur ta thërrasin nga makina.
“O Uzuni! O Uzuni!”, dëgjohen ata në video, ndërsa shpërthejnë në të qeshura.
I habitur për një moment nga përshëndetja e papritur, sulmuesi kthen kokën për të parë se kush po e thërriste, por më pas vijon shëtitjen pa e prishur qetësinë.
Pamjet kanë tërhequr vëmendjen e ndjekësve në rrjet, të cilët kanë komentuar me humor faktin se futbollisti shqiptar u njoh edhe mes atmosferës së zjarrtë të natës në një nga destinacionet më të njohura turistike të Europës.





