Korçë – Një ngjarje e rëndë tronditi më 8 gusht qytetin e Korçës, ku Joan Zyko u nda nga jeta në moshën 20-vjeçare, pasi dyshohet se u vra nga shoku i tij i fëmijërisë me kallashnikov.
Joan Zyko kishte qenë pjesë e Akademisë së Skënderbeut deri në vitin 2017, ku mbronte portën e ekipit U-15. Ai ishte gjithashtu një tifoz i zjarrtë i “Ujqërve të Dëborës”.
Pas ngjarjes së rëndë, klubi i futbollit Skënderbeu ka reaguar përmes faqes zyrtare, duke shprehur dhimbjen për humbjen e ish-futbollistit të akademisë dhe tifozit të skuadrës.
REAGIMI I SKËNDERBEUT:
Ndarje e parakohshme nga jeta e Joan Zykos
“Klubi i Futbollit Skënderbeu shpreh dhimbjen dhe ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen e parakohshme nga jeta të Joan Zykos, ish-futbollist i Akademisë së Skënderbeut dhe një tifoz i zjarrtë i ngjyrave bardhekuqe.
Joani ishte pjesë e familjes sonë, fillimisht si futbollist i akademisë dhe më pas si një nga ata tifozë që e mbajnë Skënderbeun në zemër.
Në këto momente të vështira, i shprehim ngushëllimet familjes, të afërmve dhe miqve të tij.
Prehu në paqe, Joan!
Do të mbetesh gjithmonë pjesë e familjes bardhekuqe.”





