Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se forca e tij politike do të jetë kundër draftit të Partisë Socialiste për referendumet. Në një dalje për mediat, ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se po përpiqet të përdorë “shashka” për të mbuluar vjedhjet e tij.
Berisha theksoi se aktualisht PD po punon mbi dy reforma kryesore, atë territoriale dhe atë zgjedhore:
“Nuk votojmë asnjë ligj me PS. Jemi të angazhuar në proceset e reformës, në dy reforma. Jo se besojmë se Edi Rama do të pranojë të ketë një produkt të përbashkët, jemi të bindur se nuk beson.”
Ai shtoi se opozita ka përgatitur variantet e saj të reformave dhe kërkon që ato të njihen nga PS, por nuk do të bashkëpunojë në miratimin e ligjeve të qeverisë:
“Por të votojmë në mënyrë të njëanshme ligjet e PS, kjo s’ndodh! Edi Rama përpiqet që me shashka të mbulojë vjedhjet, jo! Ai vjedh në ditë shumëfishin e rrogave të Parlamentit dhe të zyrtarëve të tij, është hipokrizi e madhe!”
Berisha u shpreh se PD do të qëndrojë e vendosur në qëndrimin e saj kundër draftit të PS për referendumet, duke u angazhuar plotësisht në hartimin dhe promovimin e reformave të propozuara nga opozita.






