Një konflikt për motive pronësie ka përfunduar me arrestimin e ish-drejtorit të Policisë së Vlorës, Sokol Mulosmani, si dhe të katër familjarëve të tij, mes të cilëve edhe vëllezërit.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në rrugën “Najzi Meka” në Tiranë, ku konflikti ka degraduar në përplasje fizike mes ish-zyrtarit të policisë, tre vëllezërve të tij dhe një nipi.
Pas ndërhyrjes së policisë, pesë personat janë shoqëruar dhe më pas janë vënë në pranga, ndërsa kanë nisur veprimet procedurale për dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Autoritetet po hetojnë dinamikën e konfliktit dhe shkaqet e sakta që çuan në përplasjen mes familjarëve, ndërsa dyshohet se në qendër të debatit kanë qenë mosmarrëveshjet për pronësinë.





