Detaje të reja janë zbardhur lidhur me shpërthimin e ndodhur në derën e banesës së Mariglen Lalës, 36 vjeç, në Bathore të Kamzës.
Ngjarja ndodhi rreth orës 03:35, në rrugën “Rozafa”, ndërsa hetuesit dyshojnë se vendosja e lëndës plasëse mund të ketë pasur si qëllim paralajmërimin ose dërgimin e një mesazhi ndaj 36-vjeçarit.
Motivet e sakta të ngjarjes mbeten ende të paqarta, ndërsa një nga pistat që po shqyrtohet nga policia lidhet me të kaluarën e Lalës.
36-vjeçari është liruar nga burgu pak kohë më parë, pasi ka përfituar nga amnistia e fundit penale. Ai rezulton të jetë dënuar më herët për një sërë veprash penale, mes tyre vjedhje, plagosje dhe mashtrim.
Policia po verifikon nëse e kaluara kriminale e 36-vjeçarit mund të ketë lidhje me vendosjen e lëndës plasëse në derën e banesës së tij.
Nga shpërthimi janë shkaktuar vetëm dëme materiale dhe nuk raportohet për persona të lënduar.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve.





